Protestat nuk ndikojnë te turizmi/ Dema: Turistët vijojnë të vijnë, nuk ka anulime nga vizitorët e huaj
Protestat që po zhvillohen në Shqipëri prej më shumë se 48 ditësh nuk duket se kanë ndikuar në fluksin e turistëve gjatë sezonit veror. Operatorët turistikë bëjnë të ditur se rezervimet vijojnë normalisht dhe se nuk ka pasur anulime nga vizitorët e huaj për shkak të tubimeve.
Sipas tyre, turistët që ndodhen në vend e shohin situatën me qetësi, ndërsa disa prej tyre shfaqin edhe interes për protestat, duke i konsideruar ato si pjesë të jetës demokratike të një vendi.
Pavarësisht protestave në kryeqytet, turistët vijojnë të mbërrijnë në Shqipëri. Operatorët turistikë thonë se fluksi i vizitorëve mbetet i qëndrueshëm dhe nuk ka pasur ndikim në rezervime.
Denis Dema, operator turistik, shprehet se vizitorët e huaj shpesh kërkojnë informacion për zhvillimet në vend, por nuk i konsiderojnë protestat si një arsye për të ndryshuar planet e udhëtimit.
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se protestat paqësore nuk ndikojnë në imazhin e një destinacioni, për sa kohë ato nuk shoqërohen me incidente, dhunë apo kufizime të lëvizjes.
Shqipëria vijon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara në rajon gjatë sezonit veror, me një numër në rritje të turistëve nga viti në vit.

