Si u “rrit” kompania e prokurorit Sokol Malaj, e rriti kapitalin në 1 milionë euro
Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj, i cili ende nuk ka dalë në veting rezulton aksioner në kompaninë “Oleum Transport”. Në vetëm 8 vite të aktivitetit ky subjekt ka rritur kapitalin në 1 milionë euro duke 6-fishuar numrin e kamionëve. Për t'iu shmangur penalizimit nga ligji, zyrtari i lartë i drejtësisë ka zgjedhur të qëndrojë aksioner pasiv, duke u përfaqësuar në kompaninë e biznesit nga të afërmit.
Prokurori i Tiranës, Sokol Malaj, i cili ende nuk ka dalë në veting, duket se përbën një nga rastet tipike të zyrtarëve të drejtësisë që njëherësh ushtrojnë aktivitet biznesi dhe me rritje të konsiderueshme.
Përveçse është funksionar në sistemin e drejtësisë, Sokol Malaj është edhe pronar i kompanisë “Oleum Transporti” me 50% të aksioneve.
Aksionet e kësaj kompanie, Malaj i ka deklaruar në vitin 2017 në Inspektoriatin e Lartë të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit.
Prokurori, Sokol Malaj, e ka hapur kompaninë në vitin 2014, me kapital 100 mijë lekë, dhe aktivitetin e ka shtrirë në importimin dhe eksportimin karburanteve, mallrave të ndryshme dhe në fushën e ndërtimeve.
Ndërsa në vitin 2021, kur është bërë edhe raportimi i fundit i pasqyrës financiare të kompanisë, rezulton që kapitali i saj ka arritur vlerën e 1 milionë eurove.
Dokumentet e Qendrës Kombëtare të Biznesit, tregojnë se kompania e Malajt në muajin e parë të aktivitetit të saj e ka nisur me 9 kamionë, ndërsa sot ajo zotëron rreth 60 mjete të tilla.
Dukshëm vihet re që për një periudhë 8-vjeçare, kompania “Oleum Transporti” i ka shumëfishuar fitimet e saj.
Në dhjetor të vitit 2022 subjekti në fjalë ka ka shtuar aktivitetin në tregtinë e automjeteve të reja dhe të përdorura.
Prokurori, Sokol Malaj, në vitin 2018 ka caktuar si përfaqësues në kompani nipin e tij, Ernis Xhelilaj, dhe vetë vendosi të ishte aksioner pasiv.
Në këtë vit, Malaj ka qenë një nga 7 prokurorët e denoncuar nga Anna Nordstrom, vajza e biznesmenit të ndjerë Vebi Veliaj, për shpërdorim detyre që lidhej me çështjen e saj.
Më tej në vitin 2021, Malaj ka ndryshuar sërish përfaqësuesin e tij në kompaninë “Oleum Transporti”, duke ia kaluar nipit tjetër të tij, Stefano Malaj, ndërsa është akoma aksioner pasiv në mënyrë që ligji i “konfliktit të interesit” mos ta pengojë në funksionet publike që mban. / Ripublikim
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.