Dy standarde me prokurorin, raportimet nga 2016 për pasuritë e Malajt, asnjë hetim

Megjithë raportimet mediatike prej 7 vitesh për pasurinë dhe bizneset e tij, prokurori Sokol Malaj vazhdon të mos dalë para vetingut. KPK nuk ka shpallur ende datën e seancës, ndërkohë që rivlerësimi i zyrtarëve të drejtësisë përfundon në vitin 2024. Nga ana tjetër, ndryshe nga Malaj, dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë përfshirë edhe ish-kryeprokurorin Llalla apo kryegjyqtarin Bashkim Dedja, janë shkarkuar e dënuar me burg për pronësinë e një apartamenti.

Anëtari Prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj, i cili sipas raportimeve mediatike disa vjeçare rezulton me pasuri disa miliona euro, vazhdon të mos përballet me vetingun 6 vite pas nisjes së procesit të rivlerësimit për zyrtarët e drejtësisë.

KPK nuk ka caktuar ende një datë për seancën ndaj prokurorit, i cili më herët ka drejtuar prokurorinë e Tiranës dhe atë të Vlorës, ndërkohë që vetingu sipas deklaratës zyrtare të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, mbyllet në vitin 2024.

Vonesa e këtij procesi, ka lënë pa përgjigje raportimet mediatike për pronësinë e Malajt në asete të paluajtshme, por edhe në kompaninë e biznesit të karburanteve e cila përmes dhjetëra kamionëve, ofron edhe shërbime transporti në gjithë vendin.

Rasti i prokurorit, Sokol Malaj, duket se përbën një shembull ndryshe nga shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të drejtësisë, në prokurori dhe gjykata, të cilët janë përballur me hetimet dhe madje edhe janë dënuar për pasuri disa herë më të vogla.

SPAK hetoi shtatë ish-zyrtarë të lartë të drejtësisë në prill 2020 ku të akuzuar ishin ish-kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca, të cilët u hetuan për evazionin fiskal dhe fshehje të pasurisë.

Rasti tjetër ishte ai i ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, i cili u hetua nga SPAK për deklarim të rremë të pasurive që dispononte.

Përpara drejtësisë janë vënë edhe ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, si dhe ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, të cilët akuzoheshin se kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme.

Përballjes me drejtësinë nuk i shpëtoi as ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili u largua jashtë vendit pasi u dënua në mungesë me 2 vjet heqje lirie për fshehje të pasurisë.

Por pavarësisht raportimeve mediatike të nisura që në vitin 2016, drejtësia e re duket se nuk ka marrë asnjë referim nga policia e shtetit për pasuritë e prokurorit Sokol Malaj.

Po kështu, SPAK nuk ka nisur hetime apo verifikime kryesisht për këtë çështje pas denoncimeve mediatike, edhe pse hetimet me iniciativë ishin një premtim i bërë nga Prokuroria e Posaçme para parlamentit dhe publikut. 

Sokol Malaj, i cili përveçse është një punonjës në sistemin e drejtësisë, njëkohësisht zotëron aksione në kompaninë “Oleum Transport”, tri apartamente dhe tri garazheve, si dhe shuma mijëra euro në depozita bankare.

Prokurori Malaj dhe çdokush tjetër prezumtohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, por raportimet për rritjen galopante të pasurisë së tij në 7 vitet e fundit, ndërkohë që ai punon edhe në institucionet kryesore të drejtësisë, duket se kanë mbetur pa përgjigje nga mungesa e një hetimi. / Ripublikim

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

kpk sokol malaj

EMISIONET