"Regji" nga Dubai, bandat vëzhgojnë "trekëndëshin e krimit" në vend
Është kthyer në shqetësuese gjetja e kamerave të krimit të organizuar në Shqipëri. Deri më tani në disa qytete të vendit përfshirë Shkodrën, Durrësin, Vlorën, Korçën e Pogradecin janë gjetur 153 kamera që kontrollonin çdo lëvizje të policisë. Në Durrës janë proceduar personat e parë për vendosjen e këtyre kamerave, ndërsa ato janë eksponentë të njohur të botës kriminale.
Fenomeni i zbuluar fillimisht në Shkodër me gjetjen e kamerave që monitoronin qytetin, dhe që ishin vendosur nga krimi i organizuar, ka marrë përmasa shqetësuese në të gjithë vendin.
47 kamera u gjetën të premten në rrugët e sheshet e Durrësit, Shijakut dhe Krujës.
Kamera u gjetën edhe në Nikël, një zonë e njohur për eksponentë të krimit të organizuar.
Në lagjen 17 të Durrësit u gjetën 11 kamera, ndërsa ky qytet u bë i pari që policia vuri nën hetim, persona që dyshohet t’i kenë vendosur.
Plarent Dervishi dhe Dejvid Karaboja janë personat e proceduar në Durrës, ndërsa Dervishi është një person me precedent të mëparshëm kriminal i njohur ndryshe edhe si anëtarë i bandës së Durrësit.
Në Shijak janë proceduar Albert Muharremi vëllai i Rrumit të Shijakut, Xhulio Vora, Astrit Balliu Avdyli, Jasin Kala Avdyli, Altin Avdyli dhe Sajmir Gjepali.
Fenomeni shqetësues është shtrirë edhe në Korçë e Pogradec.
31 kamera janë gjetur deri më tani në këto qytete, ndërsa aksioni vijon për të krehur zonën.
Ndërkohë një ditë më parë në Vlorë u gjetën dhe shkatërruan 16 kamera.
Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.
Ndërkohë në veri të vendit, në Shkodër, në dy operacione janë gjetur 59 kamera të vendosura në pikat kyqe të qytetit.
Kamerat janë me warles, që e bën të mundur kontrollimin e tyre nga aparatet celulare.
Policia pritet që të ushtrojë kontolle në të gjithë vendin për të bërë të mundur gjetjen e këtyre kamerave që monitoronin zonat e banuara bashkë me policinë e shtetit.