Konferenca IX Ndërqeveritare me BE-në, Hoxha: Pasqyrë e punës së palodhur dhe angazhimit institucional

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u shpreh sot se Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian është pasqyrë e punës së palodhur dhe angazhimit institucional në procesin e integrimit europian.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha solli në vëmendje disa data kyçe që tregojnë historinë mbresëlënëse të një udhëtimi të jashtëzakonshëm të vendit në këtë proces.
Në më pak se dy vjet, duke nisur nga 14 tetori 2024 kur Shqipëria nuk kishte hapur ende asnjë kapitull, Shqipëria hyn sot në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht tre kapitujt e parë.
“14 tetor 2024 – Shqipëria nuk kishte hapur asnjë kapitull negociues. 17 nëntor 2025 – Shqipëria kishte hapur të 33 kapitujt negociues. 26 maj 2026 – Shqipëria u bë vendi i parë negociues që arriti IBAR sipas metodologjisë së re”, theksoi Hoxha.
Ndërkohë ministri theksoi se në 14 korrik 2026, Shqipëria hyn në fazën përfundimtare të negociatave duke mbyllur përkohësisht Kapitullin 25 – Kërkimi Shkencor; Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura; Kapitullin 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
“Ato që duken si data në një afat kohor janë në fakt momente historike që pasqyrojnë një transformim të jashtëzakonshëm, rezultat i punës së palodhur, angazhimit të vërtetë dhe të vazhdueshëm institucional, vendosmërisë së fortë dhe vullnetit të palëkundur politik”, tha ai.
Sipas Hoxhës, “kur ambicia përputhet me rezultatin, progresi bëhet i mundur, i dukshëm, i matshëm, real”.
“‘Muri i zgjerimit’ po ndryshon përsëri”, u shpreh ai.


