Deputetja e PS-së e pakënaqur me protestën

Deputetja socialiste Ilva Gjuzi ka komentuar protestat që nisën kundër projektit në Zvërnec dhe që më pas u shoqëruan me kërkesa politike për largimin e qeverisë.

E ftuar në emisionin “Off the Record”, ajo tha se protesta përbëhet nga grupe të ndryshme interesi dhe se, sipas saj, ka humbur qartësinë e mesazhit fillestar.

Gjuzi theksoi se protesta është një e drejtë legjitime demokratike dhe se institucionet kanë detyrimin të dëgjojnë qytetarët dhe të krijojnë hapësira për dialog.

Megjithatë, ajo vlerësoi se lëvizja nuk po artikulon më një qëndrim të qartë dhe se narrativa e saj ka ndryshuar disa herë gjatë rrugës.

Duke iu referuar ndikimit në sektorin e turizmit, deputetja u shpreh se ky nuk është momenti më i përshtatshëm për protesta të tilla, pasi vendi ndodhet në kulmin e sezonit turistik dhe çdo zhvillim negativ mund të ndikojë te të ardhurat dhe imazhi i Shqipërisë si destinacion turistik.

Sa i përket akuzave për sulme ndaj influencerëve që kanë mbështetur protestat, Gjuzi mohoi ekzistencën e ndonjë udhëzimi nga qeveria, duke deklaruar se nuk ka dijeni për një gjë të tillë.

“Është një grup aspak homogjen, është një grup shumë i përzier, po ne jemi për t’i dëgjuar. Protesta është një mjet legjitim demokratik, po përgjegjësia jonë është t’i dëgjojmë edhe të krijojmë një hapësirë për ndoshta dhe për të bërë dialog. Pastaj çështja e dialogut është që kërkohet kërkohen dy palë. Nuk e bën dot tek.

Nga pikëpamja e zhvillimit të atij investimit në zonën e Zvërnecit ku besoj që dhe fokusi fillestar i protestës. Kështu unë vazhdoj dhe e ndjek në atë lloj linje.

Pastaj kam kuptuar që kanë ndryshuar disa herë narrativa të rrugës ose më saktë nuk po artikulohet një narrativë shumë e qartë. Nga pikëpamja ime protestat në çdo moment patjetër që i bëjnë mirë shoqërisë dhe sidomos kur ka dhe të rinj që më në fund ndjejnë që kanë nevojë të përfshihen në diskursin politik.

Po për sa i përket turizmit nuk mendoj që është momenti më i mirë i përshtatshëm, pasi siç thashë ky është dhe piku i sezonit dhe nga pikëpamja dhe e të ardhurave. Ideja është që nga sezoni në sezon mundohemi të riparojmë një pjesë të atyre problematikave të mëparshme.

Mendoj që nëse diskutimi ashtu si filloi për zhvillimin e një zone të caktuar të territorit të Republikës së Shqipërisë me një investim të huaj të një përmase domethënëse edhe me një vizion ndryshe nga çfarë është bërë më herët në Shqipëri, mendoj që aty sa më shumë të flitet, po të flitet me fakte dhe të flitet në aspektin e përmirësimit të vizionit apo të projektit të koncept idesë”, tha ajo në A2 CNN.

E pyetur nga gazetari nëse ka ndonjë udhëzim për të goditur influencerët, ajo u përgjigj: “Nëse ka të ma tregojnë dhe mua, se unë deri më tani nuk e kam dëgjuar”

EMISIONET