Rrumbullaku: Qeveria po luan ‘Jenga’ me pronat publike, çdo dy-tre muaj hiqet një pjesë e bregdetit për t'ua dhënë oligarkëve
Një plan i mirëmenduar dhe një hartëzim i detajuar i pasurive kombëtare duket se po vihet në zbatim për të tjetërsuar bregdetin dhe zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Teksa vëmendja e publikut tërhiqet shpesh nga kërkesat e vazhdueshme dhe zhurma e përditshme politike, një skemë shumë më e madhe po zhvillohet në prapaskenë me pronat më me vlerë të shtetit.
I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte Pedagogu i Fakultetit të Ekonomikut, Olti Rrumbullaku, i cili u shpreh se qeveria, e ndihmuar shpesh edhe nga heshtja ose bashkëpunimi i opozitës tradicionale, po operon me pasuritë publike njësoj si në lojën e famshme 'jenga'. Çdo dy ose tre muaj, një 'copë' e re e pronës publike hiqet për t'u kaluar në duart e një grupi të ngushtë biznesmenësh dhe oligarkësh. Rastet e Baks-Rrjollit dhe Zvërnecit janë vetëm fillimi, ndërkohë që në radhë presin perla të tjera të bregdetit si Porto Palermo apo Gjipeja.
"Unë do nis nga një gjë tjetër me thënë të drejtën. Këtu kemi një plan dhe një hartëzim të pasurive të këtij shteti, të cilat mund të kenë një element delikat, një nga të cilat është patjetër mjedisi, një tjetër është pjesa e pronave dhe nga ana tjetër kemi publikun.
Unë e shoh si një lojë, nuk e di a e keni parasysh atë lojën Jenga, që çdo dy-tre muaj, për mendimin tim, qeveria në bashkëpunim edhe me opozitën tradicionale heq një pjesë dhe ia jep biznesmenëve që janë në radhë.
Para dy-tre muajsh kishim Baks-Rrjollin, pra u hoq nga ajo që konsiderohet një bregdet publik, pavarësisht situatës së pronave e të gjithë çka ka ndodhur gjatë këtyre 20 vjetëve, dhe iu dha një biznesmeni. Kaloi Baks-Rrjolli. Në momentin që kaloi Baks-Rrjolli erdhi radha e Zvërnecit.
Mund të kalonte dhe Zvërneci, do vinte radha e ndoshta e Porto Palermos, Gjipesë, po flas, po marr shembuj, këto që janë pasuritë le të themi për të cilat mund të ketë një lloj ndjeshmërie publike.
Ama pati një llogaritje.
Jemi tre vjet larg zgjedhjeve të përgjithshme, pra është situata më optimale për t'i hequr pasurisë publike elementë të ndryshëm dhe për t'ia dhënë atij grupi biznesmenësh, herë i themi oligarkë, herë një grup i njohur biznesmenësh, që të marrin këto pasuri.
Në forma patjetër të ndryshme, me ligjet e investimeve strategjike, me ndryshimet e ligjeve të zonave të mbrojtura, me lojtarë që bëjnë gjithë atë transferimin e pronave nga njerëzit drejt këtyre biznesmenëve", u shpreh Rrumbullaku.
Ndiqni emisionin e plotë:
