Koçi nxjerr prapaskenat: Si u tentua të ndërtohej në fshehtësi kompleksi ‘Mabetex’
Një nga zërat e parë në mbrojtje të mjedisit në Shqipëri është detyruar të braktisë vendin dhe të strehohet prej dy vitesh në Gjermani, pas presioneve dhe linçimeve publike.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte Adrian Koçi, ish Drejtori i Parkut Kombetar të Karavastasë i cili ka zbuluar detaje tronditëse rreth tentativave të fshehta të qeverisë për të ndërtuar kompleksin "Mabetex" në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta gjatë vitit 2017.
Sipas të dhënave të bëra publike nga ai, gjithçka po planifikohej në heshtje të plotë, derisa organizatat mjedisore arritën të siguronin informacionet e nevojshme dhe të njoftonin median e trupin diplomatik. Reagimi ndërkombëtar rezultoi i ashpër, ku një grup ambasadorësh i dërguan një letër paralajmëruese qeverisë.
"Sigurisht shumë i surprizuar por do të bëj një korrigjim: Një nga luftëtarët e parë, sepse bashkë me mua kanë luftuar edhe shumë prej kolegëve të mi dhe drejtuesve të shoqatave mjedisore në Shqipëri.
Do të thoja që mbase tentativa e parë e Qeverisë Rama ishte pikërisht Parku Kombëtar i Divjakë-Karavastasë, mbase në vitin 2017 nëse nuk gaboj, që tentuan të ngrinin atë kompleksin e famshëm Mabetex.
Gjithçka u bë në heshtje, deri në momentin që pastaj patëm mundësi që të kishim të dhëna dhe ja kaluam në fillim, bashkë me shoqatat mjedisore sigurisht, ja kaluam në fillim medias e cila përhapi lajmin dhe më vonë u vumë në kontakt me trupin diplomatik në Shqipëri.
Madje ishte një reagim i fortë nga trupi diplomatik i asaj kohe, sepse prej disa ambasadorëve u firmos një letër që iu dërgua Qeverisë dhe në atë kohë që ne ishim gati për të filluar fazën e dytë të projektit me qeverinë japoneze, ministri i mjedisit i Japonisë që vizitoi edhe parkun, vuri dhe një kusht për Qeverinë që në qoftë se projekti do të shkonte përpara, qeveria japoneze do tërhiqej nga projekti i saj në park", u shpreh Koçi.
Ndiqni emisionin e plotë:

