Fiton dy çmime të mëdha brenda pak muajsh, Arsi Bako rrëfen emocionet pas triumfit në festivalin historik

Brenda pak muajsh, një artiste e re dhe e talentuar ka arritur të rrëmbejë dy çmime tepër të rëndësishme në trojet shqiptare, duke triumfuar si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Bëhet fjalë për Arsi Bakon, e cila është gati 22 vjeçe, po jeton aktualisht kulmin e karrierës së saj të hershme, duke vërtetuar se muzika është rruga e duhur për të.
E ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", Bako u shpreh se suksesi i fundit u shënua në rikthimin historik të Festivalit të Pranverës, një ngjarje muzikore që u rishfaq në skenë pas 23 vitesh mungesë, duke ruajtur traditën e tij si një platformë dedikuar interpretimit të të rinjve.
Këngëtarja shtoi se ishte e mbushur me emocione, duke theksuar se ende nuk e kishte asimiluar plotësisht suksesin në Kosovë, kur menjëherë pasoi vlerësimi i radhës.
" Jam shumë e lumtur dhe ndihem shumë e përmbushur mbi të gjitha. Ndihem sikur vërtet po marr rrugën e duhur.
Domethënë, kam qenë e sigurt që muzika ka qenë rruga ime që në fillim, por kjo më jep akoma shtysë dhe akoma siguri për të bërë atë që unë vërtet dua dhe pse jo për të vazhduar me krijimet e mia dhe për të prodhuar sa më shumë.
Faktikisht unë kam qenë deri diku në dijeni për Festivalin e Pranverës, por vetë normalisht nuk e kam ndjekur. Ama mami me nënën shpeshherë më kanë folur për të dhe domethënë, ka pasur këngë që unë i dija, por nuk e dija që ishin nga Festivali i Pranverës. Kam rënë në kontakt me to shumë vonë dhe e kam kuptuar që kanë qenë pjesë e Festivalit të Pranverës dhe kështu ka marrë akoma më shumë peshë kjo pjesëmarrje dhe në këtë rast edhe fitorja ime në festival", u shpreh Bako.
Ndiqni emisionin e plotë:

