Sherri në lokal me punonjësit e firmës së ndërtimit, policia heton Lefter Maliqin për fyerje dhe shpifje
Policia e Kuçovës ka proceduar penalisht në gjendje të lirë kandidatin e Bashkë Fitojmë për kryetar të bashkisë Kuçovë, Lefter Maliqi.
Policia thotë se "mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast".
Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Lefter Maliqi 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).
Gjithçka ka ndodhur në ambjentet e një lokali.
"Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi".
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim.