7.5 ton k*kainë nga Ekuadori drejt Europës/ E fshihnin në banane, kafe dhe produkte deti. Zbulohet rrjeti i trafikimit polako-shqiptar

7.5 ton k*kainë nga Ekuadori drejt Europës/ E fshihnin në banane,

Një operacion i madh i Policisë Kombëtare të Ekuadorit dhe Prokurorisë, me mbështetjen e Europolit, ka zbuluar një rrjet të dyshuar kriminal polako-shqiptar që dyshohet se trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt tregjeve europiane.

Operacioni i koduar “Great Phoenix 43 Azkaban” ka çuar në hetimin e 17 personave dhe ka nxjerrë në pah një skemë ku droga fshihej në ngarkesa të ligjshme eksporti, kryesisht banane, kafe, produkte deti, dru dhe mallra të konservuara.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, organizata ka qenë aktive që prej vitit 2019 dhe lidhet me sekuestrimin e të paktën 7.5 ton kokainë, e destinuar kryesisht për Holandën dhe vende të tjera europiane.

Hetuesit dyshojnë se rrjeti përdorte metodën e njohur si “blind hook”, ku pakot me drogë futeshin në kontejnerë gjatë transportit pa dijeninë e kompanive eksportuese.

Shqiptari i dyshuar si një nga drejtuesit e rrjetit
Në qendër të hetimit ndodhet një shtetas shqiptar me inicialet Daci P., i cili kishte edhe dokument identifikimi ekuadorian. Sipas policisë së Ekuadorit, ai dyshohet se ishte një nga drejtuesit kryesorë të organizatës dhe lidhja e saj me grupet kriminale ballkanike.

Hetuesit bëjnë të ditur se ai koordinonte aktivitetin logjistik në Ekuador dhe merrte udhëzime nga persona të lidhur me rrjetin në Europë.

Për të mbuluar aktivitetin e tij, shqiptari ishte regjistruar si biznesmen në sektorin e gastronomisë dhe shërbimeve ushqimore. Sipas dokumenteve të hetimit, ai deklaronte të ardhura mujore prej rreth 18 mijë dollarësh, por pagesat e deklaruara tatimore kanë ngritur dyshime për pastrim parash dhe parregullsi financiare.

Polaku me kompani bananesh dhe pajisje komunikimi të koduara
Një tjetër person i përfshirë në hetim është shtetasi polak Jakimiec T., i arrestuar në provincën Santa Elena. Ai rezultonte i kërkuar ndërkombëtarisht përmes një njoftimi të kuq të Interpolit.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, autoritetet sekuestruan telefona, kompjuterë, pajisje elektronike, kamera dhe armë zjarri. Sipas hetuesve, disa prej pajisjeve dyshohet se përdoreshin për komunikime të koduara me persona të tjerë të rrjetit.

Hetimi ka nxjerrë gjithashtu në pah lidhjen e tij me një kompani të sektorit të bananeve, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur si mbulesë për transportin e kokainës drejt Europës.

Hetimi rikthen në vëmendje një dosje të vitit 2020
Operacioni ka lidhje edhe me një çështje të mëparshme të vitit 2020, kur në portin e Guayaquil u sekuestruan 2 ton kokainë të fshehura në thasë jute.

Në atë kohë disa persona u arrestuan, por çështja u mbyll për mungesë provash. Hetuesit dyshojnë se disa prej tyre mund të kenë pasur rol edhe në aktivitetin e rrjetit të zbuluar së fundmi.

Sipas autoriteteve, grupi përdorte kompani fasadë, dokumente të rreme dhe biznese eksporti për të transportuar drogën përmes porteve kryesore të Ekuadorit drejt Europës.

Operacioni “Azkaban” konsiderohet një nga hetimet më të rëndësishme kundër lidhjeve mes grupeve kriminale ballkanike dhe rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të kokainës në Amerikën Latine.

EMISIONET