Sekuestrimi i incineratorit të Tiranës/ Dyshimet që ngre vonesa e SPAK
Vendimi i SPAK për vënien në sekuestro të inceneratorit të Tiranës, pas gati 6 vitesh nga operimi i tij, ka ngjallur reagime të ndryshme mbi fatin e mega aferës korruptive më të madhe në historinë e Shqipërisë dhe kokave që e projektuan atë.
Nisur nga disa lëvizje të forta të kohëve të fundit, të shumtë janë ata që shpresojnë se me hetimin për djegësin e Tiranës, SPAK më në fund po shkon drejt kupolës që ideoi, bashkë me disa biznemsmenë tashmë të shpallur në kërkim, grabitjen spektakolare të dhjetra milionë eurove. Ka të tjerë, më pak entuziastë, që këtë vendim të vonuar të SPAK e shohin si një veprim “më mirë vonë se kurrë”, i cili së paku po i vë një tampon hemoragjisë financiare që po rëndon buxhetin dhe taksapaguesit. Deri tani, shuma totale e pagesave për dy bosët në kërkim, Zoto e Mërtiri, ka shkuar në mbi 100 milion euro.
Pikërisht vonesa e SPAK për të ndalur sa më parë këtë hemoragji të frikshme, ndërkohë që faktet dhe indiciet për një aferë korruptive ishin evidente dhe pronarët e vërtetë të shpallur në kërkim, ka ngritur dyshimin tek pjesa skeptike që vendimin për sekuestro e lexojnë si një hetim që mund të mbyllet tek gropa e Sharrës pa shkuar tek përgjegjësit e vërtetë.
Përveç denoncimeve nga opozita dhe media, SPAK ka patur në duar, të paktën prej një viti e gjysëm, një raport të KLSH që hedh dyshime të forta dhe rendit fakte, se inceneratori i Tiranës ka qenë që në gjenezë një vepër korruptive. KLSH ka konstatuar se projekti ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa bashkisë Tiranë nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve. Bashkia Tiranë ka paguar vetëm për periudhën 2018- 2020, 26.5 milionë euro) shtesë, krahas kostos së pastrimi prej 3.9 miliardë lekësh.
Sipas këtij raporti, prej vitit 2018 deri aktualisht, bashkia Tiranë dhe ministria e Industrisë dhe Energjisë janë duke paguar tarifën prej 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetjeve për një shërbim ende të pakryer, duke qene se inceneratori ende nuk është përfunduar si objekt industrial për djegien e mbetjeve urbane. “Aktualisht çmimi i paguar 29 euro/ton nuk është çmimi real i shërbimit që kryhet, pasi kjo tarifë përfshin edhe incenerimin e mbetjeve, proces i cili nuk është kryer deri me sot. Pavarësisht mos kryerjes të procesit të trajtimit të mbetjeve, Bashkia Tiranë ka vijuar të kryejë pagesat e plota të tarifës për këtë shërbim”, thotë KLSH.
Do të mjaftonte ky fakt, që SPAK të kishte ndërhyrë shumë kohë më parë, për më tepër kur bosët e djegësave të Elbasanit dhe Fierit ishin të njëjtët që qëndronin edhe pas inceneratorit të Tiranës. Atë që e dinin të gjithë, SPAK e deklaroi sot si zbulim të hetimit që kishte kryer.
Nuk ka qenë aq e vështirë për të kuptuar lëvizjet e bosëve të inceneratorëve për të kamufluar pronësinë mbi djegësin e Tiranës, që ende nuk është ndërtuar. Në 31 korrik 2017, kontrata u lidh mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë Integrated Energy BV SPV shpk, e themeluar vetëm 24 orë përpara nënshkrimit të kontratës. Kjo shoqëri zotërohej nga një shoqëri e regjistruar ne Regjistrin Tregtar Holandez. Klodian Zoto rezultonte Administrator dhe Përfaqësues i Shoqërisë Holandeze për periudhën 2016 deri 2018. Shoqëria zotëruese (e regjistruar në Holandë) ka ndryshuar emrin në 2020 nga Integrates Energy BV ne Geonix BV.
Pronar përfitues, Kompania e Biznesit që zbaton kontratën koncesioanre është shoqëria Integrates Energy BV SPV, e themeluar në 30 gusht 2017. Shoqëria zotërohet nga një Shoqëri e regjistruar në Regjistrin Tregtar në Holandë. Në ekstraktin e pronarit përfitues të dorëzuar pranë Qendrës Kombëtarë të Biznesit zotërues të shoqërisë rezultojnë tre shtetas italianë dhe francezë. Pronesia finale nga 2016 deri 2022 reflekton disa ndryshime me konfigurim final të ndryshëm nga konfigurimi 2016.
Të gjitha këto të dhëna janë të dokumentuara dhe SPAK-ut do t’i mjaftonte të hetonte se përse autoriteti përgjegjës nuk kishte reaguar mbi ndryshimin e pronësisë së kompanisë që kishte fituar një kontratë 30 vjeçare me Propozim të Pakërkuar, me një vlerë 336.6 milion euro.
Veç faktit evident se bashkia Tiranë vazhdon e paguan koncesionin me 29 euro për ton, ndërkohë që nuk bëhet procesi i incenerimit, veç faktit se ndryshimi i pronësisë për të humbur gjurmët e përfituesve të vërtetë është neglizhuar nga ministria përkatëse, SPAK mund t’i referohej raportit të KLSH edhe mbi një shkelje të rëndë, ajo e miratimit të projektit pavarësisht kostove të papërballueshme buxhetore.
KLSH, një vit e gjysëm më parë, arriti në përfundimin se mungesa e vendimmarrjes së ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, në cilësinë e vlerësuesit dhe miratuesit paaraprakisht të të gjitha projekteve koncesionare nga pikëpamja e implikimeve fiskale, për rastin e “Integrated Energy B.V” shpk, për incineratorin e Tiranës, “shpreh në mënyrë eksplicite papërballueshmërinë dhe/ose paqëndrueshmërinë si edhe ndërmarrjen e angazhimeve publike që rrezikojnë në mënyrë të konsiderueshme përballueshmërinë dhe efektivitetin e projektit”. Dhe këtu është fjala për refuzimin e dy ministrave të Financave, Cani dhe Ahmetaj. Ky i fundit refuzoi disa herë të tjera dhënien e miratimit si ministri përgjegjëse për tavanet buxhetore dhe implikimet financiare të projekteve në partneritet publik- privat me argumentin se nuk është e qartë se kush do të bëjë pagesat, me çfarë fondesh do të bëhet shpronësimi i tokës për zgjerimin e landfillit dhe se norma e kthimit të përhershëm të investimit (IRR) është llogaritur gabim 5%, kur në fakt rezulton të jetë 8%.
Sipas vetë hetimeve të SPAK për “dosjen Ahmetaj”, pas refuzimit të këtij të fundit, ministri Koka i dërgon një tjetër letër, ku sqaron se shpenzimet për shpronësimin e tokës dhe pagesat për mbetjet që përpunohen do të përballohen nga vetë bashkia me fondet e transfertave të pakushtëzuara që bën buxheti. Ahmetaj kërkon shkresën e miratimit me shkrim nga të gjitha njësitë bashkiake të qarkut Tiranë, sipas modelit financiar që kishte dërguar ministria e Mjedisit dhe më 27 mars 2017, Erion Veliaj i dërgon miratimin sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Ahmetaj refuzon ta miratojë derisa ministria e Mjedisit ia dërgon me email shkresën e dhënies së miratimit nga Erion Veliaj. Ai më pas i hap rrugë procedurës duke u shprehur “pa komente”.
Pra është e qartë prej fillimit, se aktorët e përfshirë në këtë mega aferë, kanë qenë në dijeni të plotë të shkeljeve ligjore dhe implikimeve financiare. Ato fillojnë që me mënyrën se si u bë gara për djegësin e Tiranës, si iu dha bonusi kompanisë fituese që u regjistrua një ditë para lidhjes së kontratës, si u pranua monopoli i “dy klodërve” që kishin marrë me PPP edhe Elbasanin e Fierin. Pastaj vazhdojnë me gjetjen e rrugëve abuzive për të garantuar pagesat kolosale nga bashkitë e qarkut Tiranë dhe me pagesën grabitqare të 29 eurove për ton, ndërkohë që procesi i incenerimit nuk ndodh as sot, gjashtë vite pas lidhjes së kontratës. Dhe në fund, me mbylljen e syve përpara kompanive guackë të Hollandës, me qëllimin që paratë të vazhdonin të rridhnin drejt pronarëve në kërkim dhe bosëve të vërtetë të kësaj vjedhje epike.
Fiks gjashtë vite më pas, SPAK zbuloi sot se “nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” shpk”. Eshtë pikërisht kjo zvarritje e gjatë, ndërkohë që të gjitha indiciet e grabitjes ishin të ekspozuara publikisht, që ngre dyshimet se për inceneratorin e Tiranës, SPAK është treguar më i “kujdesshëm” seç duhet deri në vendosjen e sekuestros, pavarësisht hemoragjisë financiare. A kanë bërë llogari politike prokurorët, duke parashikuar se afera e Tiranës mund të shkaktojë tronditje fatale për mazhorancën? A e kanë shtyrë ata “sekuestron preventive” pas zgjedhjeve të 14 majit (ndërkohë që vetëm këtë vit kanë rrjedhur dhe plot 16 milion euro të tjera në Sharrë)? A do ta çojnë tashmë ata këtë hetim deri në fund apo ai do qëndrojë pezull vetëm mbi sekuestron, për t’u keqpërdorur kësisoj në luftën politike brenda organizatës së Rilindjes?
Siç ka treguar sot se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët pas koncesionit të Tiranës, SPAK ka sfidën t’u zbulojë shqiptarëve se kush janë pronarët e vërtetë të vetë Zotos dhe Mërtirit. /Lapsi.al