Rrumbullaku: Gert Shehu nuk është agjent i policisë as i infiltruar, do të zbardhim goditjen e Berishës
Në një dalje për mediet, drejtori i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh se janë marrë të gjitha masat për hetimin e incidentit të Berishës.
Ai tha se Gert Shehu nuk është agjent i policisë dhe as person i infiltruar, apo është përdorur si burim informacioni nga blutë.
Rrumbullaku: Në lidhje me incidentin e ndodhur ndaj deputetit Sali Berisha, sigurisht incident i paprecedent dhe plotësisht i dënueshëm, Policia e Shtetit sapo u njoh me ngjarjen e shëmtuar, reagoi menjëherë duke ndaluar agresorin. Edhe aktualisht po vazhdojnë hetimet, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të përcaktuar dinamikën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje dhe motivet e saj.
Në lidhje me deklaratat e deputetit Berisha në konferencën për shtyp, gjatë së cilës pohoi se 31-vjeçari, Gert Shehu është agjent i Policisë Kriminale, dhe se është përdorur për të kryer akt dhune ndaj tij, sqarojmë opinionin publik se: Shtetasi Gert Shkëlqim Shehu, i vitlindjes 1991, nuk ka qenë ndonjëherë dhe nuk është agjent i Policisë Kriminale nga asnjë strukture e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu ky shtetas nuk është përdorur asnjëherë nga shërbimet e Policisë së Shtetit si i infiltruar apo si burim informacioni. Sqarojmë se dokumenti që vërteton gjendjen e shëndetit mendor të shtetasit Gert Shehu, është vënë në dispozicion të medias nga vetë familjarët e të riut. Policia e Shtetit shpreh keqardhje dhe përgënjeshtron këto deklarata, të cilat nuk ndihmojnë në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Ndërkohë, sigurojmë deputetin Berisha, se Policia e Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë, është e angazhuar maksimalisht, në zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të plotë ,të të gjitha rrethanave të ngjarjes.