Rrëfimi/ “Situata më e vështirë e karrierës sime 12-vjeçare”, flet polici që liroi Rozalinda Plakën: Buzi më kërkoi të afrohesha i paa*matosur
Shefi i stacionit policor të Roskovecit, Mariglen Koroveshaj, ka rrëfyer momentet e negociatave me autorin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Vidhish të Roskovecit, Refit Buzi, për lirimin e ish-të fejuarës Rozalinda Plaka. Duke folur në një intervistë për mediat, Koroveshaj tregon se ishte vetë zgjedhja e autorit që pranë automjetit të afrohej pikërisht shefi i stacionit policor, duke iu përgjigjur kërkesave të tij që të mos ishte i armatosur dhe të shkonte i vetëm.
Ai rrëfen se distanca më e afërt që i është afruar automjetit ka qenë rreth 2 metra dhe se e gjithë situata është monitoruar nga forcat RENEA. Sipas tij, çdo sekondë ishte vendimtare për shpëtimin e jetës së vajzës dhe autorit. Koroveshaj thekson se vajza ishte jo vetëm e traumatizuar psikologjikisht, por kishte edhe dëmtime fizike, çka e kishte bërë të pamundur që ajo të ecte.
Kjo ishte edhe arsyeja që Koroveshaj ka ndërhyrë duke e marrë në krahë dhe duke e larguar nga zona e rrezikut. Për shefin e stacionit policor, kjo ka qenë situata më e vështirë e karrierës së tij 12-vjeçare në polici. Koroveshaj rrëfen edhe momentin më kritik të negociatave, kur çdo afrim i gabuar mund të përkeqësonte situatën. Ai tregon se ruajtja e qetësisë dhe komunikimi me autorin ishin vendimtare për lirimin e pengut.
"Kemi qenë në komunikime të vazhdueshme për disa orë me autorin deri në momentin që autori është bindur dhe ka kërkuar që unë personalisht të afrohem në vendin ku ai ndodhej së bashku me pengun. Ka qenë zgjedhja e tij nga negociatat që janë bërë për rreth dy orë, nga momenti që autori është kontaktuar.
Unë jam afruar në vendin ku ai ndodhej dhe përsëri ka refuzuar ta lëshonte vajzën sepse e shikonte si garanci që mos t’i ndodhte gjë. Në ato momente më ka kërkuar që të afrohem i paarmatosur dhe i vetëm. E kam zbatuar kërkesën e autorit. Në momentin që i jam afruar, ka kërkuar sërish të më shikonte nëse jam i armatosur. E kam zbatuar kërkesën e tij, duhet të bënim çdo gjë që ai të mos agravohej apo acarohej më tepër sepse qëllimi ishte shpëtimi i jetës së tij dhe pengut.
Në momentin që jam afruar më ka thënë mos bëj më asnjë lëvizje të afrohesh se do të vras veten. Jam tërhequr, kam bërë negociatat derisa është bërë e mundur që autori të lironte pengun. Ishte një moment i rrezikshëm, në ato momente mendon si të shpëtoosh një jetë njeriu, çdo sekondë është vendimtare. Veprimet duheshin kryer sa më shpejt pasi gjendja e rënduar që ndodhej autori mund të agravonte dhe të rëndonte situatën. Kemi menduar për shpëtimin e jetës së vajzës.
Vajza ishte në gjendje shumë të rëndë psikologjike dhe fizike, kishte dëmtime në pjesën e trupit që ishin shkaktuar nga autori në momentin që e ka marrë me forcë nga banesa. Kishte shumë dëmtime fizike që e bënin të pamundur të ecte. Në ato momente që ka dalë nga automjeti, duhet të largohej sa më shpejt nga zona e rrezikut. Jam rikthyer te autori për të vazhduar negociatat që të lironte armën dhe mos të vazhdonte më me situatën”, tha shefi i komisariatit.
Si ndodhi ngjarja?
35-vjeçari Refit (Nertil) Buzi shkoi në banesën e ish-partneres, Rozalinda Plaku dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve të saj, duke i vrarë të atin dhe plagosur të ëmën, e cila pas disa orësh ndërroi jetë në spital. 35-vjeçari pasi ekzekutoi ish-vjehrrin, Kosta Plaka, 58 vjeç, dhe plagosi ish-vjehrrën, Belere Plaka, 55 vjeçe, ai u largua nga vendi i krimi dhe mori me forcë edhe ish-partneren e tij, Rozalina Plakun. Menjëherë pas njoftimit për ngjarjen e rëndë, Policia shkoi në vendngjarje, ngriti pika kontrolli dhe nisi kërkimet për gjetjen dhe kapjen e autorit.
Pas disa orësh kërkimesh, Policia lokalizoi 35-vjeçarin në fshatin Kurjan të Roskovecit. Ai ishte futur në makinën e tij dhe refuzoi të dorëzohej. Si pasojë, në zonë zbarkuan forcat speciale RENEA, të cilat rrethuan automjetin dhe nisën negociatat për ta bindur të dorëzohej. Gjatë operacionit, ish-partnerja e tij u lirua nga Policia pas disa orësh dhe më pas u shoqërua në komisariat, ku pritet të merret në pyetje si dëshmitarja kryesore për ngjarjen. Negociatat me 35-vjeçarin vazhduan për rreth 8 orë, por ai nuk pranoi të dorëzohej.
Rreth orës 16:35, ndërsa ndodhej ende brenda automjetit, ai qëlloi veten me armën e gjahut. Sipas hetimeve paraprake, dy pistat kryesore lidhen me dyshimin se ai nuk pranonte ndarjen nga ish-partnerja dhe me një konflikt për një shumë parash që ai pretendonte se ia kishte dërguar asaj gjatë kohës që punonte në Angli dhe kërkonte që t'ia merrte pas ndarjes. Buzi gjithashtu kishte precedentë penalë për sjellje të dhunshme. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale

