Rikthehet normaliteti në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut

Sistemi i pikave kufuitare në Maqedoninë e Veriut ka dalë jashtë funksioni të shtunën nga ora 6.30 e mëngjesit deri në 16.00 të pasdites. Mosfunksionimi i sistemit ka shkaktuar kaos dhe radhë të gjata në të gjitha pikat kufitare me Shqipërinë duke o detyruar qytetarët të presin me orë në kushtet e motit të keq. Situata është kthyer në normalitet vetëm pasdite.

Nën temperatura që shkojnë disa gradë nën zero, qindra qytetarë pritën për orë të tëra këtu, në pikën kufitare të Qafë Thanës për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.

Sistemi i kufirit në palën maqedonase ra papritur mëngjesin e së shtunës (4 shkurt 2023), ndërsa qytetarët u përballën me radhë kilometrike në të gjitha pikat doganore.

Qytetarët u shprehën të shqetësuar për pritjet e gjata që zgjatën nga ora 6.30 e mëngjesit, deri pasdite.

"Kemi 2 orë këtu dhe nuk na kan thën asgjë, as një shpjegim, se kur do kalojmë, nuk e dim. Kemi probleme, kam gocën do e çoj në spital ta vizitoj, më duhet ta çoj se sbën".

"Sipas informacioneve, duan 2 ose 3 orë, sepse  sistemi maqedonas nuk ka sistem elektronik".

"Një orë kemi këtu që presim. Është bllokuar nga dogana maqedonase na thonë, s'janë hapur se s'kanë sistem".

Policia kufitare e Maqedonisë tha për mediat lokale se ka rënë sistemi i doganave ndaj kalimi do të bëhet në mënyrë manuale e cila çojë në pritje disa orëshe.

Normaliteti është kthyer në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, si dhe në dy pikat e tjera kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, atë të Tushemishtit dhe Gorricës vetëm rreth orës 16.00 të së shtunës.

Burime pranë pikës së kalimit kufitar thanë se pala maqedonase ka filluar të punojë normalisht me sistemin kompjuterik duke bërë të mundur kalimin normal të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në të dy anët e kufirit.

Në orët e pasdites, sipas burimeve pranë pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, nuk ka radhë ndërsa po kalohet pa probleme edhe në pikat kufitare të Tushemishtit dhe Gorricës.

Ende nuk dihet shkaku i mosfunksionimit të sistemit të palës maqedonase, por të shtunën Shkupi është përfshirë në tensione për shkak të 151 vjetorit të lindjes së  revolucionarit Goce Dellçev, personazh historik që ka sjellë përplasje për dekada mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Qindra bullgarë që ishin nisur drejt Shkupit mbetën në pikat kufitare, ndërsa ata kanë akuzuar Maqedoninë e Veriut për pengesë të qëllimshme të lëvizjes.

Një ditë më parë Kryeminsitri maqedonas paralajmëroi se do ti ndalohej hyrja në Maqedoninë e Veriut çdo provokatori.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

maqedonia e veriut bullgaria dogana kaos

EMISIONET