RENEA shkon ta kapë në lokal, djalit të Pojës i sekuestrohen mbi 3 mln euro. Familja: Paratë ishin nga biznesi i pularisë
Një sasi prej më shumë se 3 milion euro është sekuestruar në një nga lokalet e Fatmir Troplinit në Shkozet të Durrësit.
RENEA, ka shkuar në lokalin dhe banesën e Fatmir Troplinit, djalit të biznesmenit Xhevdet Troplini që në Durrës njihet me nofkën "Poja".
Sasia e eurove është gjetur nga RENEA në momentin e kontrollit të një lokal-restoranti.
Por familjarët e Fatmir Troplinit, kanë pretenduar se sasia e eurove është si rrjedhojë biznesit të tyre.
Fatmir Troplini, zotëron 100 për qind biznesin e vezëve në zonën e Sukthit në Durrës.
Prej vitit 2017 ai është pronari i kompanisë "Glauk Impexs".
Policia ka kryer kontrolle dhe në banesën e Vis Pojës, nipit të Troplinit, por ndaj tij deri në këtë fazë nuk ka asnjë masë arresti thonë burimet.
Fatmir Troplini, dyshohet se akuzohet për Sigurim të kushteve me qëllim vrasjen e Preng Gjinit në Tiranë, porosi kjo e dhënë nga familja Reçi në Elbasan.
Protagonizmi i tij ka dalë gjatë një hetimi të kryer nga SPAK, ku përmes bisedave të "Sky" ai flet me persona të tjerë, duke i shitur apo blerë një sasi eksplozivi të paisur me telekomandë.
Kjo sasi tritoli më pas i është vendosur në automjetin tip “Benz-Mercedes” të përdorur nga Preng Gjini.
Shpërthimi i telekomanduar ka ndodhur në urën e Nisharakut në Tiranë, duke sjellë plagosjen e rëndë të Gjinit.