Rama ndan pamjet: Për hajër ura e madhe e Kukësit

Ura e Madhe e Kukësit është hapur të hënën për qarkullimin e automjeteve.

Ajo është një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore, që çliron përfundimisht qarkullimin duke aksesuar edhe komunitetet përreth, por dhe krijon lehtësi për automjetet që lëvizin drejt Kosovës.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka ndarë pamje nga ura në të cilën vijon qarkullimi normal i automjeteve.

Shefi i qeverisë, ndër të tjera, u drejtohet me një mesazh të gjitha atyre të cilët sipas tij kanë sharë dhe kanë hedhur akuza.

“Për hajër ura e madhe e Kukësit. Dhe një lutje e sinqertë për ata që thoshin ra ura, u ndryshk ura, u prish ura: Kur të kaloni mbi urë ta gëzoni po aman shani sa më shumë, se plas syri i keq dhe na shtoni inatin për punë”,  shkruan Rama.

Ura e re e Kukësit ka dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa në të gjithë gjatësinë e saj është konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Ura ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metra.

EMISIONET