“Prindërit kanë frikë nga hakmarrja, fëmijët në shesh”/ Bushkolaj: Protesta nxori në pah diktaturën
Retorika e fundit politike e kryeministrit të vendit ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik, duke u cilësuar si një fyerje e rëndë ndaj figurave emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një analize të thellë të situatës së fundit politike, të bërë në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News" Elkier Bushkolaj theksoi se kontrasti i fortë mes sakrificave të luftëtarëve të UÇK-së, si i ndjeri Xheladin Gashi (Komandant Plaku) apo Dritan Goxhaj, dhe të kaluarës së kreut të qeverisë shqiptare. Ndërkohë që figurat patriotike operonin në terrenet e vështira malore të Tropojës, Hasit e Kosovës në vitin 1998 për lirinë e kombit, kryeministri theksohet se e kalonte kohën në plazhet e Francës. Kjo qasje bëhet edhe më e rëndë kur sillen në vëmendje raportet e afërta dhe lavdet e ndërthurura me figura serbe si Sinisha Mihajlloviç apo Goran Bregoviç, si dhe sanksionet e paprecedenta që qeveria e Tiranës i vendosi Kosovës.
"Komandant Plaku është një nga figurat embleme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bëhet fjalë për Xheladin Gashin, ka qenë një aktivist i cili e ka nisur aktivitetin e tij patriotik që në vitet '70-'80 dhe që ka kulmuar në luftën e fundit të UÇK-së, ku ka qenë një nga personazhet kyç të furnizimit me armë. Aktivitetin e tij e ka pasur në zonë kufitare, kryesisht Tropojë, Has, Kukës, Mirditë, por dhe në Burrel.
Dhe më duket pak e çuditshme që në këto terrene malore ku operoi kryesisht me mushka apo me mjete të vështira, Xheladin Gashi që sot është i ndjerë, domethënë pasi ka ndërruar jetë prej të paktën dy dekadash, të ketë gjetur mundësinë që të shkruajë këtë letër. Dhe besoj që familjes Gashi, shtetit shqiptar dhe Tiranës zyrtare i detyrohet një ndjesë.
Unë e kam bindjen e plotë që një numër të madh të deputetëve të Partisë Socialiste apo deputetëve të atij parlamenti t'i pyesësh se kush ka qenë komandanti me emrin Sulltani, ata me siguri do kujtojnë se ka qenë Edi Rama.
Se harrojnë që Edi Rama në '98-ën ka qenë në plazh, në ato plazhet e Francës ose duke shitur ikona, dhe nuk ka qenë në frontin e luftës ku për hir të së vërtetës Dritan Goxhaj përtej atyre që sot thuhen për të, ka qenë aty bashkë me babain e tij dhe kanë marrë pjesë jo vetëm në luftën e Kosovës, por edhe në luftën në Luginën e Preshevës.
Pra është një fyerje shumë e rëndë që i bëhet edhe asaj embleme nga vetë ky kryeministër. Ne i kemi parë vetë kujtimet e Sinisha Mihajlloviçit që fliste për lavdet e Edi Ramës, se si fliste me një zell të madh për Serbinë. I kemi parë edhe koncertet e Goran Bregoviçit, simfoninë e orkestrës së Beogradit e kemi parë në Tiranë, dhe i kemi parë të gjitha ato takimet me Open Balkan që e dëmtuan Kosovën më shumë se asnjë vend tjetër.
Dhe mos harrojmë që ishim vendi i parë që i vendosëm sanksione pas problemeve që Kosova pati me Bashkimin Europian. Kjo është vetëm për t'ju kthyer një përgjigje atyre që sot u morën me këtë letër. Edhe atyre që u thonë se çfarë duan kosovarët në protestë. Se ku mund ta bësh dallimin mes një qytetari nga Malësia e Gjakovës siç është vajza këtu në studio, dhe një qytetari nga Gjakova, apo dikujt nga Hasi dhe dikujt nga Hasi i Kosovës, apo një lumjani që rri në Kukës apo në Prizren. Qofshin këto që janë, që janë të zotët edhe i bëjnë këto dallime. Pastaj për të ardhur tek ajo që normalisht është lajmi i ditës edhe është thembra e Akilit të gjithë këtij debati. Bëri përshtypje sot në nisje të protestës, ishte një grua me një vajzë të mitur.
Pak rëndësi ka, por mesazhi që ajo tha: Unë jetoj me 400 mijë lekë, tha, dhe 400 mijë lekë kam qiranë, tha, me se do ta ushqej këtë fëmijën? Ajo është influencere e protestës. Unë e di që Edi Rama kërkon që debatin ta zhvendosë te disa personazhe, po themi, televizive, të TikTok-ut, që një pjesë e tyre që kanë dalë në protestë, kanë një meritë, për shkak se nuk është e lehtë që të dalësh sot në protestë në Shqipëri, dhe të dalësh në protestë në dekadën e fundit.
Dhe kushdo që ka dalë në këtë protestë, dhe kushdo që ka dalë në protestat që janë zhvilluar më përpara, patjetër që meriton vlerësim. Se kjo protestë nxori në thelb edhe atë, diktaturën. Pra këtu kanë dalë fëmijët, po kanë frikë prindërit nga ndëshkimi, se prindërit punojnë në administratë, prindërit kanë një biznes. Dhe normalisht kur shohin kryeministrin e vendit se si linçon një Dritan Goxhaj, kur shohin se si linçon një aktiviste nga Durrësi, mos gaboj, për një shtëpi që ka në zonën e Kalasë.
Edi Rama pra e ka parë shtesën pa leje në vilën trekatëshe të Entelës, po Edi Rama nuk i ka parë kullat e financuara me para droge. Përtej kësaj, kullat me lejen e tij të financuara me para droge, pa folur për ato katet pa leje në kulla. Tani për të ardhur te artikulli i sotëm ku ai na drejtohet me atë gjuhë, ai ndoshta mund të jetë mësuar me vartësit e vet me atë lloj komunikimi, por përtej kësaj, pjesa dërrmuese e shqiptarëve tregojnë që nuk e pranojnë atë. Dhe pjesa dërrmuese në fakt nuk është ajo që shkon në kutitë e votimit. Shqipëria është shumë herë më e madhe përtej atyre numrave që flet ky për 700 mijë, që kujton se mund t'i vendosë", u shpreh Bushkolaj.
Ndiqni emisionin e plotë:


