Nga të rinjtë te pensionistët, Ramaj: Qytetarët në shesh kundër arrogancës dhe keqqeverisjes
Qytetarët shqiptarë kanë shpërthyer në protesta masive në bulevardin e Tiranës, duke tejkaluar çdo ngjyrim politik. Kjo lëvizje qytetare po shihet si rrezja e vetme e shpresës në një situatë të thellë dëshpërimi dhe pesimizmi, të shkaktuar nga keqqeverisja dhe arroganca e një pushteti 13-vjeçar.
Zemërimi qytetar ka bashkuar të gjitha grupmoshat dhe shtresat e shoqërisë. Në shesh janë parë që nga të rinjtë 18-vjeçarë, të cilët ende nuk kanë votuar asnjëherë, e deri te pensionistët që, pavarësisht bindjeve të vjetra partiake, po përballen me pamundësinë për të mbijetuar me një pension prej 200 mijë lekësh të vjetra në muaj. Mesazhi i tyre është i qartë: kjo formë qeverisjeje e mbartur ndër vite nuk pranohet më.
I ftuar në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ishte avokati Redi Ramaj, i cili u shpreh se reagimi i kreut të qeverisë ndaj kësaj vale pakënaqësie ka nxjerrë në pah një situatë të paprecedentë paniku institucional.
Sipas avokatit përmes deklaratave të vazhdueshme dhe linçimit të protestuesve të thjeshtë, kryeministri po reflekton tipare të një drejtimi autoritar, duke sulmuar qytetarët në vend që të dëgjojë kërkesat e tyre.
"Kjo besoj është gjëja më e mirë që mund t'i ndodhte Shqipërisë në këto momente.
Në një situatë ku të gjithë ishin pak pesimistë, mund të them, më e mira e mundshme, nëse flasim me një gjuhë të butë, por dhe të dëshpëruar nga ana tjetër dhe me një mijë probleme, shqiptarët jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë Shqipërisë, për shumë arsye, për keqqeverisje për një kohë të gjatë, për një pushtet të stërzgjatur të fundit, pra 13 vite në pushtet kryeministri dhe vazhdonte me një gjuhë arrogance të komunikonte me qytetarët.
Me një gjuhë arrogance me mënyrën sesi e drejtonte qeverinë për më tepër dhe si e administron çdo aspekt dhe detaj të jetës të Shqipërisë. Dhe kjo protestë me kulmin e saj, me arritjen e një, si mund të themi, mllefi apo pakënaqësie qytetare arriti të dalë dhe të shpërthejë përtej partive politike në sheshin në bulevard të Tiranës.
Kjo ngjalli shpresën, unë mendoj që në pyetjen që ju i bëtë Z. Çelës, nëse duhet të flitet për këtë apo jo, apo për atë një çështje tjetër të caktuar në protestë.
Protesta nuk mund t'i zgjidhi të gjithë hallet e shqiptarëve, të gjithë problemet e shqiptarëve, por protesta ka thënë që, ose ka dhënë mesazhin e qartë që shqiptarët kudo që janë nuk e pranojnë këtë lloj mënyre qeverisje të gabuar që po i jepet Shqipërisë këto 36 vite. Dhe ky besoj është një konsensus që e kanë të gjithë protestuesit.
Nga ata 20-vjeçarë që mund të mos kenë votuar asnjëherë në jetën e tyre, apo 18, 19-vjeçarë, dhe deri te pensionistët të cilët mund të kenë qenë militantë të një partie apo të një partie tjetër, por e kuptojnë që në fund të ditës duhet të mbijetojnë apo në fund të muajit me 200 mijë lekë të vjetra pension.
Kjo është realiteti shqiptar, dhe dalja e këtyre njerëzve, e kësaj kategorie në protestë është lajm i mirë. Dhe lajmi tjetër i mirë, që është akoma më i mirë, është që kryeministri është në një moment krejtësisht jo normal për qenien e tij si kryeministër mendoj unë. Pra të dalësh dhe të bësh deklarata të tilla siç ai ka bërë gjithë ditët e protestës tregon që ti je një diktator, i cili nuk pranon asgjë tjetër përveçse ajo çfarë atij i duket e mirë.
Dhe këtë e ka treguar me reagime dhe me qëndrimet e tij dhe me qëndrime ndërkombëtare, por dhe me qëndrimet në Shqipëri. Të linçosh, të godasësh figura apo protestues të thjeshtë që marrin pjesë në protestë nuk është nivel kryeministri, nuk është politikë, është të sulmosh qytetarët e tu.
Dhe këtë po bën kryeministri në këto ditë, ai nuk pranon mendim ndryshe, ai nuk pranon t'i jepen ide, alternativa dhe si mund të qeveriset vendi edhe pse thotë jam i votuar", u shpreh Ramaj.
Ndiqni emisionin e plotë:

