“Nuk do të tërhiqemi”/ Vatnikaj: Bregdeti, malet dhe hapësirat publike po kalojnë në duart e oligarkëve

E ftuar në emisionin “Ora e Betit”, aktivistja Sidorela Vatnikaj foli për protestën që prej më shumë se tre javësh po zhvillohet para Kryeministrisë, duke sqaruar arsyet e qëndresës dhe kërkesat e protestuesve.

Sipas saj, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit mbetet e pandryshuar, por protesta shkon përtej një emri politik dhe lidhet me mënyrën se si është ndërtuar sistemi në vend gjatë viteve.

"Prej më shumë se tre javësh tashmë ne jemi përballë dyerve të Kryeministrisë duke kërkuar një kusht të panegociueshëm që është dorëheqja e kryeministrit Rama. Jemi të vetëdijshëm se kjo është një kërkesë e vështirë për t’u realizuar, por nuk kemi të bëjmë vetëm me një individ, kemi të bëjmë me një mendësi dhe një sistem të ndërtuar prej vitesh."-tha Vatnikaj.

Vatnikaj tha se shumë qytetarë e shohin protestën si një reagim ndaj mënyrës se si janë administruar pasuritë publike, ndërsa shprehu shqetësimin për privatizimin e zonave bregdetare, maleve dhe hapësirave të tjera publike.

Ajo u ndal edhe te zhvillimet urbane në Tiranë dhe në zonat turistike, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si po menaxhohen këto pasuri.

"Sot shohim që nga hapësirat publike në lagje deri te kilometrat e tëra të bregdetit dhe maleve, shumë prona po kalojnë në duart e individëve të favorizuar. Shohim investitorë strategjikë që përfitojnë prona publike, ndërsa betonizimi po prek Tiranën, Jugun dhe qytete të tjera të vendit."-shtoi ajo.

Gjatë bisedës, Vatnikaj tha se pjesëmarrësit në protestë janë të vendosur të vazhdojnë qëndrimin e tyre, duke argumentuar se kauza lidhet me të ardhmen e vendit dhe me ruajtjen e pasurive publike për brezat që do të vijnë. Ajo shtoi se protesta do të vijojë për aq kohë sa kërkesat e tyre të mbeten pa përgjigje.

EMISIONET