POLICIA NUK ZË MEND/ 30 kursantë në spital! Helmohen sërish studentët e Akademisë së Sigurisë
Nuk kanë fund skandalet në Akademinë e Sigurisë. Pas episodit të ndodhur rreth dy muaj më parë ku 56 studentë u helmuan nga ushqimi, e njëjta situatë ka ndodhur përsëri.
Raportohet se rreth 30 kursantë të Akademisë së Sigurisë, mbrëmjen e djeshme kanë pasur simptoma të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke, ku të ndarë në grupe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital.
Policia dhe AMP kanë nisur hetimet për ngjarjen.
Kujtojmë se kjo është hera e dytë që studentët e Akademisë helmohen në një afat kohor kaq të shkurtër. Edhe më 7 maj u helmuan 56 kursantë të akademisë së Sigurisë pas konsumimit të drekës.
Kompania e cila siguronte ushqimin për studentët është “SORI-AL”, e çiftit Nikolin Jaka dhe Alma Tafani. Kompania pas rastit të parë të helmimit u bllokua, por pak ditë më vonë AKU zhbllokoi aktivitetin me argumentin se analizat dhe rezultatet kanë dalë brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.
Ndërkohë, sipas hulumtimit të mediave, nga viti 2019 deri sot, kjo dyshe ka përfituar tre kontrata rresht, pa garë, pa konkurrencë, me një rritje prej 70 për qind të tarifës mujore.


