Policia e Tiranës godet rrjetin e klandestinëve drejt BE-së/ Në pranga ‘organizatori’ egjiptian i skemës

Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të dyshuar të trafikimit të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. Operacioni i koduar “Organizatori” ka çuar në pranga një 34-vjeçar egjiptian, banues në Krujë, i cili dyshohet se drejtonte skemën e transportit ilegal të klandestinëve.
Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari me iniciale A. H. kishte ndërtuar një mënyrë të veçantë për t’iu shmangur kontrolleve të policisë. Ai dyshohet se nuk i transportonte emigrantët në grupe, por i lëvizte një nga një drejt zonave kufitare, me qëllim kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërhyrja e policisë është bërë në momentin kur 34-vjeçari u kap në flagrancë në autostradë, pranë Rinasit, teksa po transportonte me automjet drejt Shkodrës një shtetas tjetër egjiptian, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe aparatin celular të të arrestuarit, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e komunikimeve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i sigurimit të ndihmës për shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve kundrejt pagesave.
NJOFTIMI
Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, operacioni policor i koduar “Organizatori”.
Vihet në pranga një shtetas egjiptian, banues në Krujë, që dyshohet se organizonte në vendin tonë, transportimin e emigrantëve (kryesisht egjiptianë) që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë me destinacion një nga vendet e BE-së.
Për të shmangur kontrollet e Policisë ky shtetas i transportonte një e nga një shtetasit e huaj kryesisht egjiptianë.
34-vjeçari egjiptian u arrestua në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, duke transportuar drejt Shkodrës, 1 shtetas egjiptian.
Sekuestrohet celulari i të arrestuarit.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për një shtetas të përfshirë në organizimin e transportimin kundrejt pagesave, të emigrantëve që synojnë të kalojnë kufinjtë në kundërshtim me ligjin, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Organizatori”.
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë mundësoi arrestimin në flagrancë, në autostradë, në afërsi të Rinasit, të autorit të dyshuar, shtetasit egjiptian, A. H., 34 vjeç, banues në Krujë, teksa transportonte drejt Shodrës, një shtetas egjiptian.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i dhënies ndihmë, shtetasve të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve. Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


