"Partizan" Sadushi kërkon të ndryshojë praktikën penale duke përdorur ushtarët civilë

Sokol Sadushi, një ditë para një vendimi të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ndërhyri me një vendim të ndërmjetëm.
Gjeti Begtash Zenelin dhe 14 orë para goditi. Nuk e la kolegjin të merrte një vendim, por ndërhyri vetë.
Dhe tani ka propozuar që të mblidhet Kolegji i Bashkuar për të diskutuar vendimin e vitit 2011.
Një praktikë penale që në fakt do ta diskutojnë shumica e gjyqtarëve civilë, pra Kolegji Administrativ dhe Kolegji Civil, ndërkohë që gjasat janë qartazi që Kolegji Penal të jetë kundër sepse është ai që do të punojë me atë praktikë, është ai që do ta ndjekë, është ai kolegj që ka ezauruar dhe ka punuar edhe me praktikat e së shkuarës.
Në fakt, një vendim i tillë i Sokol Sadushit apo çdo kryetari të Gjykatës së Lartë mund të vinte në çdo moment. Pyetja që lind thjesht është: pse ndërhyri tani Sokol Sadushi? Cila është arsyeja? Cili është qëllimi? A ka ndërhyrë Mero Baze, gazetari i familjes Veliaj, te Sokol Sadushi? Janë miq të dy bashkë.
CNA ka materiale dhe ndërhyrje konkrete që Mero Baze bëri në media për Sokol Sadushin.
Ai kërkoi që të mos shkruhej për të, të mos sulmohej, ndërsa Sadushi po shkonte në Gjykatën e Lartë dhe skemat po zbuloheshin.
Sokol Sadushi i është borxhli Mero Bazes për mbështetjen mediatike që i ka dhënë dhe tani është kryetar i gjykatës ku do të zhvillohet përpjekja për të sjellë Erion Veliajn në shtëpi.
Me një veprim prej kamikazi kërkon që të mbledhë Kolegjin e Bashkuar një ditë pas gjyqit të Ilir Metës. Ndërkohë një muaj më pas, pasi të zbardhet vendimi i tij, është gjyqi i Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese dhe kështu skema funksionon qartë. Ilir Meta ngryset brenda, del vendimi i ri të nxjerrë Erion Veliajn jashtë.
Ky mund të quhet një aludim, por ndërhyrja e Sokol Sadushit është po aq kriminale sa një vrasje që mund t'i bëhet sistemit të drejtësisë.
Kjo sepse vendimi vjen në momentin që i vetmi zyrtar i lartë i shtetit shqiptar me 13 akuza të rënda penale, shumica e tyre për korrupsion, mbahet në burg dhe prej 7-8 muajsh shtyn proceset gjyqësore penale.
Prej gati një viti sulmon gjyqtarë e prokurorë nga qelia. Janë parë në përgjime, janë parë në shkrime, në mediat e pushtetit, në mediat e paguara nga inceneratorët, mediat e “5D”-së dhe Sokol Sadushi tani na sjell një vendim të ndërmjetëm në momente mjaft delikate.
Atëherë kur drejtësia në Shqipëri duhet të marrë peshën e duhur, atëherë kur Bashkimi Europian duhet t'i vlerësojë strukturat e drejtësisë, jo vetëm SPAK-un, por dhe Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe institucione të tjera.
Ndonjëra prej tyre është kthyer si ato leckat për të fshirë çimenton që ka muaj pa u pastruar, por janë aq të ndotura sa po pengojnë rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Dhe këtë mund ta pengojë edhe Sokol Sadushi me veprimin që po bën.
Ndaj jemi përballë faktit: a do të pranojë Kolegji i Bashkuar të përdoret si vegël, si një ushtri mercenarësh për t’i plotësuar tekat Sokol Sadushit, për të zbatuar skenarin e mundshëm të lirimit të Erion Veliajt?
Apo do të qëndrojnë me integritet përballë Sadushëve, Mero Bazëve dhe çdo skenaristi tjetër për të treguar se në Shqipëri ka zyrtarë të përgjegjshëm, se në Shqipëri ka gjyqtarë të përgjegjshëm, se në Shqipëri ka njerëz, të cilët dinë të peshojnë vërtet dhe nuk përdoren si letër higjienike e një të burgosuri në qelitë e Durrësit?/ CNA


