E trishtë! Gjendet trupi i paj*të i 5-vjeçarit shqiptar që u zhduk pas përmb*sjes së gomones në Zvicër

Ka marrë fund në mënyrën më tragjike historia e vogëlushit shqiptar Tian Rahimi, i cili rezultonte i zhdukur që prej së shtunës pas një aksidenti me gomone në lumin Reuss, në kantonin zviceran të Aargaut.
Mediat zvicerane raportojnë se trupi i pajetë i 5-vjeçarit është gjetur pasditen e së martës në zonën e Merenschwand-it, përgjatë lumit Reuss. Autoritetet kanë konfirmuar gjetjen e një fëmije të pajetë, ndërsa të gjitha indiciet tregojnë se bëhet fjalë për Tian Rahimin.
Vogëlushi u zhduk më 20 qershor, kur gomonia ku udhëtonte së bashku me prindërit dhe motrën e tij 7-vjeçare u përplas me një pemë të rrëzuar në lumë dhe u përmbys pranë zonës së Mühlau-t.
Ndërsa prindërit dhe motra arritën të shpëtonin dhe të dilnin në breg, Tiani u mor nga rryma e fortë e lumit dhe nuk u pa më që nga ai moment.
Që prej ditës së aksidentit, policia, zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit dhe qindra vullnetarë zhvilluan kërkime intensive përgjatë lumit, duke përdorur mjete të specializuara, zhytës, dronë dhe helikopterë në përpjekje për ta gjetur vogëlushin.
Sipas raportimeve, ka qenë një vullnetar ai që ka konstatuar trupin e pajetë gjatë operacionit të kërkimit të organizuar të martën. Menjëherë pas zbulimit, zona u rrethua nga policia dhe në vendngjarje mbërritën patrulla të shumta si dhe ekipet e emergjencës.
Lajmi ka tronditur familjen Rahimi, komunitetin shqiptar në Zvicër dhe të gjithë ata që për ditë me radhë u bashkuan në kërkime me shpresën për ta gjetur të gjallë 5-vjeçarin.
Pas disa ditësh ankthi dhe pritjeje, kërkimet për Tianin kanë përfunduar, por fatkeqësisht me rezultatin më të dhimbshëm të mundshëm.
Ngushëllime familjes Rahimi për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme.

