Nisin në 7 qershor regjistrimet në çerdhe, prioritet fëmijët me dy prindërit në marrëdhënie pune

Të hënën e 7 qershorit nisin aplikimet për regjistrimet në çerdhe.

Aplikimet do të zgjasin deri në 11 qershor ndërsa prindërit duhet të paraqiten pranë çerdhes së lagjes nga ora 9 deri në orën 14.

Thuajse në çdo çerdhe të kryeqytetit janë afishuar edhe dokumentet që prindërit duhet të kenë me vete ditën e regjistrimit.

Për fëmijët që kanë statusin e jetimit nevojitet libreza e këtij statusi, certifikatë personale dhe familjare.

Për fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike apo sëmundje të rënda kërkohet raporti mjeko ligjor si dhe certifikatat personale dhe familjare.

Të njëjtat dokumente janë të nevojshme edhe në rastet kur kujdestari ligjor i fëmijës është më aftësi të kufizuara mendore apo fizike.

Për fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike përpos certifikatave duhet edhe vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor

Ndërsa për kategoritë e tjera kërkohet vërtetim me pagë mujore të pasqyruar të prindërve si dhe vërtetim për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, dokument ky që sigurohet në portalin e-albania.

Dokumentacioni i dorëzuar do të shqyrtohet përgjatë një jave nga stafi drejtues i çerdheve.

Për shkak të kërkesave të larta dhe kapaciteteve pritëse të kufizuara jo çdo fëmijë do të pranohet për të frekuentuar institucionet parashkollore.

Prioritet do të kenë fëmijët që i kanë të dy prindërit në marrëdhënie pune si dhe ata që vijnë nga familje me probleme ekonomike apo sociale.

Në lidhje me fëmijët që kanë frekuentuar çerdhet gjatë sezonit 2020-2021 dhe që deri në 15 shtator mbushin 3 vjeç regjistrohen në kopsht automatikisht.

EMISIONET