Ekspertët zbulojnë ngjyrat ideale për dhomën e gjumit që ju ndihmojnë të flini më mirë

Ekspertët zbulojnë ngjyrat ideale për dhomën e gjumit

Kur mendojmë për një gjumë më të mirë, zakonisht përqendrohemi te dysheku, jastëkët, temperatura e dhomës apo koha që kalojmë para ekranit. Por edhe ngjyra e mureve mund të ndikojë në mënyrën se si trupi dhe mendja kalojnë nga gjendja e aktivitetit te qetësia.

Sipas Michelle Lewis, eksperte e psikologjisë, ngjyra më qetësuese për dhomën e gjumit është blu e butë dhe e zbehur, me nuanca gri.

“Dhoma e gjumit është ambienti i fundit që përjeton sistemi nervor para gjumit dhe i pari që sheh kur zgjohemi," shpjegon ajo për “Parade”. Për këtë arsye, ngjyrat e ambientit mund të ndikojnë në mënyrën se si e mbyllim dhe e nisim ditën.

Lewis thotë se tonet e ftohta, si bluja, jeshilja dhe vjollca e butë, lidhen zakonisht me një ndjesi më të qetë. Megjithatë, nuk ka rëndësi vetëm ngjyra, por edhe intensiteti i saj.

Një blu shumë e ndezur mund të jetë stimuluese, ndërsa një ton i zbutur me gri krijon një efekt më të qetë dhe më pak të rëndë për syrin. Pikërisht ky nënton gri, sipas Lewis, e bën blunë më të përshtatshme për dhomën e gjumit.

Përveç blusë së zbehur, ekspertja sugjeron edhe disa alternativa të tjera.

Grija e ngrohtë krijon një ambient neutral pa ftohtësinë e grisë së pastër apo sterilitetin që mund të japë e bardha. Nuancat që afrohen me bezhën ose grinë e bëjnë dhomën të duket e qetë. Për ata që preferojnë ambiente neutrale, ngjyrat mund të shtohen përmes çarçafëve, perdeve, qilimave ose mobilieve të vogla.

Jeshilja si ngjyra e sherebeles është një tjetër zgjedhje e qetë, e frymëzuar nga natyra. Disa studime kanë sugjeruar se ambientet me ngjyrë të gjelbër mund të lidhen me uljen e stresit dhe të rrahjeve të zemrës, krahasuar me ambiente më stimuluese.

Një nuancë e thellë mes blusë dhe jeshiles mund të krijojë një ndjesi mbrojtëse dhe intime. Sipas Lewis, kombinimi i këtyre dy ngjyrave e bën ambientin të duket i qetë dhe elegant, për sa kohë toni është i errësuar dhe jo tepër i ndritshëm.

Livandoja e zbehur ruan qetësinë e toneve të ftohta, por i jep dhomës një atmosferë më personale dhe ëndërrimtare. Një version me nënton gri është më i përshtatshëm se një vjollcë e ndezur.

Po cilat ngjyra duhen shmangur?

E kuqja e ndezur konsiderohet tepër stimuluese për një ambient që synon relaksimin.

E verdha e fortë mund të funksionojë mirë në kuzhinë apo në një ambient pune, por në dhomën e gjumit mund të duket tepër energjike, veçanërisht në mëngjes ose në momentet para gjumit. 

Edhe e bardha e shndritshme nuk është gjithmonë zgjedhja më qetësuese. Sipas Lewis, ajo mund ta bëjë dhomën të duket sterile dhe e ftohtë. 

EMISIONET