Mirëmbajtja e aksit Fier-Vlorë, tenderin e fiton kompania me ofertën 2.1 mln euro më të lartë

6.6 milionë euro do të paguhen nga buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugës së vjetër Fier-Vlorë. ARRSH ka skualifikuar dy kompanitë që kishin dhënë vlerën më të ulët, duke shpallur fitues subjektin që dha 2.1 milionë euro më shumë.

Premtimi i kryeministrit Edi Rama se nuk do të pranojë më tendera pa konkurrim e se do të çojë në SPAK procedurat e dyshimta u harruan dhe deri më tani asnjë nismë nuk është ndërmarrë.

Një tjetër prokurim ku fitues nuk është shpallur kompania që kërkon më pak para për punën e kërkuar është dhe rehabilitim i segmentit rrugor Fier-Vlorë rruga e vjetër me Fondin limit: 833 milionë lekë apo 6 milionë e 908 mijë euro.

Në dokumentet zyrtare rezulton se fitues për kontratën 14 mujore është kompania që ka ofruar jo pak por 2.1 milionë euro më shumë se ajo më e lira.

Kështu bashkimi i operatorëve "SHKELQIMI 07" dhe "FLED"  kanë kërkuar për të bërë punën 540  milion lekë ose 4.5 milionë euro.

E dyta është bashkimi "ALB TIEFBAU" dhe "MELA" me rreth 545 milionë lekë  ose  4 milion e 542 mijë euro.

Në vend të tretë renditet  "PE-VLA-KU" që kërkon  722 milionë lekë ose  6 milione euro.

Në vend të katërt, por që është dhe fitues është "COBIAL" me ofertën 792 milionë lekë ose rreth 6 milionë e 600 mijë euro.

Vlerë më të lartë kanë kërkuar  "ALB-BUILDING"  si dhe "IS SH.P, ERGI" dhe "VELLEZRIT HYSA".

Sipas ARRSH e drejtuar nga Ervis Berberi dy kompanitë e para që janë skualifikuar janë skualifikuar me argumentin se nuk kanë përvojë të ngjashme dhe tjetra nuk ka pasë xhiro vjetore të duhur por dhe inxhinieri mekanik ishte në një tjetër projekt.

Edhe pse nuk ka asnjë koment shtesë për këtë vendim fitues shpallet "COBIAL", duke mos dhënë as koment për kompaninë e tretë të renditur për ofertë më të ulët.

Tashmë mbetet për tu parë nëse tenderi që do ti kushtojë shqiptarëve 2 milionë euro më shumë nga oferta më e lirë do të kalojë në Komisionin e Ankesave, apo edhe nëse do të ketë një hetim për këto veprime.

EMISIONET