Ligji i Arsimit të Lartë në rishikim, Keta: Pas 11 vitesh ende ngërç mes rektorëve dhe administratës!
Pedagogia Majlinda Keta, në një intervistë për “Ora News”, ka deklaruar se ligji i arsimit të lartë po hyn në një fazë të domosdoshme rishikimi pas më shumë se një dekade nga miratimi i tij.
Sipas saj, reforma e ndërmarrë më herët solli ndryshime të rëndësishme në mënyrën e organizimit të universiteteve, duke synuar ndarjen e qartë mes drejtimit akademik dhe atij administrativ. Megjithatë, Keta thekson se në praktikë ende ekzistojnë tensione dhe mosfunksionime mes këtyre dy pushteteve brenda institucioneve të arsimit të lartë.
Ajo u shpreh se procesi i rishikimit vjen në një moment kur, sipas saj, institucionet nuk janë plotësisht të përgatitura për një reflektim të thellë mbi efektet e ligjit, ndërsa politika dhe drejtuesit institucionalë kanë shprehur vullnetin për ndryshime.
Keta solli si shembull edhe zhvillimet e fundit në universitete, duke nënvizuar se dorëheqjet dhe konfliktet e brendshme tregojnë për një ngërç ende të pazgjidhur mes rektorëve dhe strukturave administrative.
Sipas saj, ky rishikim duhet të shërbejë për të sqaruar më tej rolin e çdo strukture brenda universitetit dhe për të shmangur përplasjet që kanë ndikuar në funksionimin e institucioneve akademike gjatë viteve të fundit.
“Pas 11 vitesh, është koha për të kuptuar pse ende ekzistojnë ndërhyrje dhe tensione mes dy pushteteve brenda universiteteve,” u shpreh ajo, duke theksuar se ndryshimet ligjore duhet të sjellin një funksionim më të qartë dhe efikas të sistemit të arsimit të lartë.
Majlinda Keta: Dhe po të mendojmë që ciklet tona janë tre plus dy, kanë kaluar dy palë gjeneratash të plota në cikle, për të rishikuar ligjin e arsimit të lartë. Sikurse ju e keni ndjekur asokohe, ligji qe një kalim jo pak i lehtë, u pranua që ne nga një proces i Bolonjës kaluam në një model anglo-sakson, i cili vinte në një truall që kishte funksionuar deri atëherë për Bolonjën, më pas në një moment u kthye që në element kryesor të tij ku pretendohej, do t'i ngjante këtij modeli tjetër. Kalimi në 10 vite ka qenë një kalim jo i lehtë.
Jo fort i lehtë edhe për faktin që mbas 10 vitesh ende prodhon ngjarje, prandaj rishikimi si të niste nga ne si domosdoshmëri dhe kjo do ishte rruga më e bukur, që të vinte nga presioni poshtë, i pedagogëve, i kërkuesve, i njësive bazë, të universiteteve publike dhe jo publike, por edhe i rishikuar me iniciativë të ministres dhe kryeministrit është një ngjarje jo pak pa influencë, jo vetëm për botën akademike, por dhe për të gjitha llojet e zhvillimeve në vend pasi ne flasim për atë pjesë të sistemit arsimor shqiptar që përgatit profesionistët në duart e të cilës do mbetet zhvillimi i qëndrueshëm apo zhvillimi në modelin e duhur të këtij vendi. Por në këtë moment që po ndodh, mendoj se jo të gjithë institucionalisht kanë qenë gati për momentin.
Është e gatshme politika, është e gatshme ministrja dhe kryeministri që e shpreh publikisht dhe mendoj se universitetet nuk janë të gatshëm për të dhënë një proces siç e meritonte reflektimi pas 11 vitesh, se tani në korrik ai bën plot 11 vite, siç e meritonte ky proces.
Qëndrimi juaj është shumë i bukur sepse mbas 11 vitesh me zgjedhjen e një rektori siç është zoti Tonin, i Universitetit të Shkodrës, një nga të themi të drejtën personalitetet në arsim, si në atë parauniversitar në pjesën reformatore, por dhe në atë eksperiencën e tij universitare, dhe mbas një dorëheqje të tillë, për motivet që unë dëgjova publikisht, për heshtjen e forumeve të rektorëve për këtë lloj dorëheqje të rektorit të një universiteti relativisht të madh, në një vend që po dukej nga perceptimi publik që po ecte mbarë në atë angazhimin e vetë të trupës, dimensionin e ri, vizionin e ri, një lloj dinamike të re që i kishte dhënë këtij universiteti, tregon që ky ligj në raport me atë që quhej dhe pretendohej që është gjëja thelbësore, dhe që ishte e vetmja gjë që unë edhe në atë kohë asokohe që kam qenë një shpirt kritik për të.
Kam vlerësuar ndarjen e mënyrës me të cilën do të vizionohej universiteti nga ana akademike dhe ana administrative. U duk sikur dorëheqja e tij erdhi për arsye të ekzistencës, jo në standardet e duhura si ai perceptonte, të një pushteti të dytë që ligji e kishte ndarë.
Pra, do të thotë që në mënyrën se si funksionojmë së brendshmi, ne kemi ende një ngërç midis rektorëve dhe administratorëve kur, për mua, ligji të vetmen gjë që arriti ishte që rektori të merrej me dijen akademike, vizionimin e saj, kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin, me të gjithë elementët akademikë të organizimit të universitetit. Ndërsa administratorët ishin pjesa e pasme mbështetëse financiare, e mirëqeverisjes e tjerë e tjerë.
Dhe në dukje, dorëheqja e tij nuk erdhi se nuk e pranoi trupa, nuk e mbështetën fakultetet, rinovimet e shumë departamenteve që ai bëri, shumë marrëveshje, shumë konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, por në dukje u dha një konflikt mes tyre.
Të vërtetën e di vetë zoti Tonin, por unë kam bindjen që ky është një akt i cili për një ministre si politikbërëse dhe për të gjithë ato që do të duan ta rishikojnë ligjin, duhet të kuptojnë përse mbas 11 vitesh ende dy pushtete kërkojnë të ndërhyjnë tek njëri-tjetri.

