18 dhjetorit, Bytyçi: Gjithçka është skenar! Basha përdori Berishën për të qenë sërish kryetar i PD

Ditën e nesërme do të mbahet referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, ndërkohë nga ana tjetër ky i fundit do të mbledh Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve.

Analisti Enver Bytyçi, në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushaj, është shprehur se për shkarkimin e Bashës do të votojnë dyfishi i  delegatëve që e votuan atë që të jetë sërish kryetar partie.

Enver Bytyçi: Referendumi i ditës së nesërme do të prodhoj dyfishin e votave të kryetarit të larguar dhe të shkarkuar, Lulzim Basha. Më shumë se dyfishin e votave që ai ka marrë në qershor kur u votua për kryetar partie. Nesër ne do kemi jë rezultat të votimit të anëtarëve të PD, të cilët do të jenë në numër shumë më të madh kundër Bashës, se sa ishin ata që e zgjodhën. Anëtarët e PD nuk kanë më besim te Lulzim Basha. Ai mund të ndërrojë bravat, mund të bëjë diversione nga më të ndryshmet, mund të marrë një kamion me çelësa ta shkarkojë në oborrin e PD, por nuk janë bravat ato që e votojnë për pushtetin dhe politikën në Shqipëri. 

Ai tha se nëse nesër do të mblidhet Kuvendi, do të ketë edhe njerëz që nuk përfaqësojnë PD, pasi sipas analistit shumica e delegatëve ishte në Kuvendin e 11 dhjetorit.

Enver Bytyçi: Nëse nesër do të mblidhet një Kuvend i Bashës, ai do të jetë një Kuvend  me njerëz që nuk përfaqësojnë PD. Nuk janë delegatë të PD. Nuk kanë mandat për të përfaqësuar anëtarësinë e PD në këtë vend por janë njerëz që janë besnik të Bashës dhe kam përshtypjen se do të mobilizohen dhe njerëz jashtë strukturave të PD që të mbushin sallën. Nuk ka asnjë shans që delegatët që morën pjesë në Kuvendin e datës 11 dhjetor të jenë të pranishëm në Kuvendin e nesërm të PD. Demokratët nuk kanë 100 ftyra, ata kanë vetëm një, i qëndrojnë fjalës së tyre. Gjithçka është një skenar që synon ta çoj krizën në PD në ekstrem. Synon shkatërrimin e PD.

Bytyçi shprehet se Basha nuk e mbajti fjalën për të mos përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, ndërsa shton se ai e përdori liderin historik të PD, në mënyrë që të jetë sërish në krye të kësaj partie.

Sipas analistit akuzat që bënë Lulzim Basha, tregojnë që ky i fundit ka qenë i përfshirë jo vetëm në një projekt  të tij, por të një klubi më të madh për të denigruar Berishën, për ta larguar me dhunë nga politika.

Enver Bytyçi: Lulzim Basha e përdori Sali Berishën dhe sapo mori mandatin si kryetar partie ai e tradhtoi këtë kauzë dhe tradhtoi anëtarët e PD, të cilët e dinin që Berisha është shpallur “Non Grata” dhe shprehën mbështetjen e pakufishme ndaj tij. Kjo vinte për shkak të besimit të demokratëve që kanë për Sali Berisha. Për shkak të besimit të plotë se ato akuza ndaj Berishës, synonin të shkatërronin PD.

Basha duhej të mbante premtimin se nuk do ta merrte këtë vendim dhe Berisha do të vazhdonte që të zgjidhte problemin e tij në mënyrë ligjore me departamentin e shtetit. Vendimi i Bashës shkon përtej presioneve të ambasadores amerikane. Shkon në linjën që Basha mezi ka pritur ta hedh përtej PD ish-liderin historik. Akuzat që vazhdon të bëjë dëshmon që Basha ka qenë i përfshirë jo vetëm në një projekt të tij, por të një klubi më të madh për të denigruar Berishën, për ta larguar me dhunë nga politika.

Përgatiti Anila Kolgjini. 

EMISIONET