Komiteti i Helsinkit publikon analizën për hartën e re gjyqësore: Krijoi pasiguri ligjore
Harta e re gjyqësore ka krijuar pasiguri ligjore për shumë qytetarë që presin shqyrtimin e çështjeve të tyre prej vitesh në gjykata. Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi gjetjet e një analize mbi riorganizimin gjyqësor, ku theksoi se draftimi i hartës së re dhe zbatimi i saj u bënë si procese të mbyllura pa praninë e organizatave që ofrojnë ekspertizë në këtë sektor.
Harta e re gjyqësore ka krijuar pasiguri ligjore tek shumë qytetarë që presin prej vitesh shqyrtimin e çështjeve të tyre gjyqësore ende pa një vendim si pasojë e zvarritjeve nga vakancat në drejtësi.
Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, shprehu këtë shqetësim në një tryezë analize për hartën e re gjyqësore që po zbatohet nga 1 shkurti.
"Mungesa e një strategjie të mirëfilltë për të projektuar në terma konkretë dhe në kohë plotësimin e vakancave dhe uljen e stokut në disa gjykata ka krijuar pasiguri ligjore dhe shqetësim të drejtë te mijëra qytetarë dhe përdorues të gjykatave për çështjet e tyre që vijojnë të mbeten pezull në pritje për tu gjykuar."
Skendaj tha në panelin e diskutimeve se draftimi i hartës së dhe dhe zbatimi i saj ishin një proces i mbyllur ku nuk u përfshinë organizatat e angazhuara me sistemin e drejtësisë.
"Procesi për hartimin e hartës në vlerësimin tonë ka qenë një proces pothuajse i mbyllur. Edhe procesi i zbatimit të hartës së re gjyqësore sipas VKM-së së korrikut 2022 sërish ka qenë i mbyllur."
Skendaj evidentoi edhe problematika që lidhen me transferimin e gjyqtarëve dhe menaxhimin e burimeve njerëzore të gjykatave që u shkrinë nga harta e re gjyqësore.
"Është e paqartë si janë përzgjedhur gjykatat e rretheve gjyqësore për të cilat bëhet propozimi për transferimin prej tyre."
Gjykata e Apelit në Tiranë, e vetmja e tillë në vend sipas hartës së re, nisi punën pak ditë më parë me një stok të madh prej 32 mijë dosjesh që presin të shqyrtohen, nga të cilat rreth 27 mijë janë dosje të mbetura pa u shqyrtuar gjatë viteve të fundit.

