"Mali" me dosje përplaset në një Gjykatë të vetme Apeli në Tiranë
Me një stok prej 32 mijë dosjesh në pritje, ka nisur punën më 1 shkurt Gjykata e Apelit të Tiranës, e vetmja e tillë tashmë në gjithë Shqipërinë. Kryetarja e KLGJ-së gjatë takimit prezantues tha se rreth 1800 gjyqe të nisura ngë apelet e rretheve do vijojnë në kryeqytet, ndërsa rreth 27 mijë çështje të tjera do të rihidhen në short.
Gjykata e Apelit me juridiksion të përgjithshëm filloi punën në Tiranë më 1 shkurt me 25 anëtarë në zbatim të hartës së re gjyqësore, e cila shkrin Apelet e Ajirokastrës, Durrësit, Shkodrës e Vlorës.
Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, gjatë takimit prezantues tha se tashmë zyrtarisht nis funksionimi i hartës së re gjyqësore, e cila ishte një domosdoshmëri për shkak të reduktimit të numrit të gjyqtarëve si pasojë e shkarkimeve nga vetting.
“Sot nis zbatimi i hartës së re gjyqësore dhe nis me gjykatën e juridiksionit të përgjithshme të Apelit. Harta e re gjyqësore, ne synojmë që të kemi gjykata më të mëdha që t’i shërbejnë publikut. KLGJ ka marrë masat që gjithçka të funksionojë më së miri duke e nisur nga gjykata e Apelit të Tiranës”, tha ajo.
Hartimi i hartë së re, u cilësua një proces tejet i vështirë që kishte shoqëruar me dilema edhe vetë anëtarët e KLGJ.
"Kishim kundërshti dhe dilema për këtë proces por arritëm deri në fund që ta miratonim se e kuptuam se ishim në një rrugë pa kthim."
Kryetarja e KLGJ theksoi se gjykimet e nisura në Apelet e rretheve që shkrihen vijojnë në Apelin e vetëm në Tiranë, ndërsa rreth 27 mijë çështje do të rishortohen.
"Janë 1868 çështje që vazhdiojnë proceset gjyqësore ndërkohë që janë rreth 27 mijë çështje që janë bashkuar dhe për shkak të zhvillimeve që i kemi bërë teknologjisë së informacionit këto çështje kanë emigruar dhe janë gati për tu rishortuar në trupën gjyqësore prej 25 vetave."
Për qytetarin, sipas kryetares së KLGJ-së nuk do të ndryshojë asgjë përveç heqjes së aksesit apo kontaktit tek gjyqtarët.
"Për qytetarët nuk do ketë asnjë pengesë. E vetmja pengesë që do ketë qytetari është se nuk do ta ketë të aksesueshëm gjyqtarin. Qytetari do ta marrë shërbimin aty ku e ka marrë për gjithë këto vite, në godinën e gjykatave të mëparshme të Apeleve."
Eksperti amerikan që ka ndihmuar KLGJ-në në draftimin e hartës së re, tha se reforma në drejtësi nuk është perfekte por shtoi se ishte e nevojshme.
"Reforma në drejtësi nuk është e thjeshtë, nuk është e shpejtë dhe nuk është as perfekte. Janë sfida të vërteta. Numri i çështjeve të prapambetura duhet të adresohet menjëherë dhe ju mund t'ja dilni. Këta numra mund dhe të zerohen."
Harta e re gjyqësore pritet të finalizohet në korrik të këtij viti, kur përfundon riorganizimi i plotë i gjykatave.

