Skandali në burgun e Peqinit/ Të burgosurit si në hotel, pa kamera e skaner, por me investime private

Hetimet për vrasjen e Arben Lleshit, kanë zbuluar një tjetër skandal në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.

Drejtori i sapo komanduar Kamber Hoxha në 30 nëntor 2023, rreth dy javë para sulmit me armë, ka informuar autoritetet për situatën skandaloze brenda rrethimit.

Në pikën tre të dokumentit thuhet se të dënuarit i kanë shndërruar qelitë si ambiente të privatizuara ku edhe kanë kryer investime akomodimi dhe arredimi me mobilie.

Në to gjenden pajisje elektroshtëpiake, frigoriferë, soba me korrent, thekëse buke, shtrydhëse frutash, televizorë, ekspres kafeje etj., ndaj dhe është e pamundur kontrolli për sende të paligjshme.

Më tej thuhet se edhe ambientet e përbashkëta janë shndërruar si palestra private, ndërsa disa të burgosur i përdorin të dënuarit e tjerë për transport ushqimesh, plaçkash apo dhe për tu pastruar qelitë. Një panoramë kjo e parë vetëm në filma aksion.

Më tej bëhet e ditur se skaneri për zbulimin e sendeve të paligjshme nuk funksiononte e po ashtu edhe sistemi i kamerave.

Në një rast drejtori i komanduar shprehet se i dënuari Ilir Kupa kishte arritur të priste kasën metalike të derës. Kjo shprehet ai cenon sigurinë e të dënuarve të tjerë.

Por duket se alarmi nuk është marrë parasysh, duke sjellë në 15 dhjetor sulmin me armë si pasojë një i vrarë dhe një i plagosur por edhe një panoramë të qartë të gjendjes në ambientet e sigurisë së lartë të vuajtjes së dënimit.

EMISIONET