“Jam akuzuar padrejtësisht” - I dënuari pas lirimit nga amnistia: Ma ka bërë një oficer i Policisë Gjyqësore

Besmir Gjezari, i dënuar për lëndë narkotike, u lirua këtë të mërkurë nga burgu pas përfitimit nga Amnistia Penale. Menjëherë pas daljes, ai ka hedhur akuza të forta duke deklaruar se është dënuar padrejtësisht dhe se do të nisë një betejë ligjore për të kërkuar drejtësi për këtë që i është bërë.
Ai deklaroi se ishte dënuar me 5 vite burg dhe se ka bërë dy vite e 7 muaj burgim. Sipas tij, padrejtësia i ka ardhur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Mariglen Beqo.
“Unë jam akuzuar për lëndë narkotike, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Jam dënuar me pesë vite burg. Vuajta dy vite e shtatë muaj. Dhe unë nuk jam kapur me asnjë lloj gjëje. Jam dënuar padrejtësisht nga ana e Prokurorisë së Korçës dhe Gjykatës, dhe këtë e kam nga oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo. E ka me tendencë. Nga ai u nis ajo.
Dhe më ka marrë dhe familjen në qafë ai dhe kam dy vite e kusur këtu që nuk po takoj dot familjen time. Do ta kërkoj drejtësi dhe kjo është vetëm fillimi. Sa kam dalë, do t’i nis të gjitha gjërat nga e para.”, tha ai.
Gjezari po ashtu pretendoi se gjatë qëndrimit në burg nuk i është lejuar që të takojë familjen dhe fëmijën e tij të mitur. Foli edhe për kërcënime dhe presione që, sipas Gjezarit, i janë bërë atij por edhe familjarëve.
“Nuk i kam takuar familjarët se nuk i ka lejuar prokuroria. I gjithë ndikimi ka qenë oficeri i policisë gjyqësore. Më është hequr padrejtësisht edhe e drejta e takimit të fëmijës së mitur, të moshës 3 vjeçare dhe e kam lënë gati një vit, një vit e pak, dhe nuk e kam takuar, nuk e kam parë nga padrejtësitë që më ka bërë oficeri i policisë gjyqësore, Mariglen Beqo.
Ai ka marrë dhe presion e kërcënime nga njerëz të drejtësisë, dhe ndihem shumë i kërcënuar dhe i rrezikuar, si unë dhe familja ime. Jam i kërcënuar me jetë, si unë dhe familja ime. Më kanë kthyer gjëra personale. Për çfarë atë e di oficeri i policisë gjyqësore, se unë nuk e di dhe nuk e kuptoj akoma përse, arsyen.
Të mos takosh dot familjen dy vjet e kusur këtu, ta kem 2 km larg murit, nuk ka bërë vaki. Dhe të më hiqet e drejta e fëmijës padrejtësisht se ndikon oficeri i policisë gjyqësore. Për çfarë arsye? Atë e di ai, dhe këtë do ta kërkojmë me drejtësinë. Jam familjar, kam një fëmijë të mitur, kam një biznes timin, dhe dua t’i përkushtohem familjes.”, shtoi ai.


