AKUZAT/ Ekstradohet nga Italia Saimir Kolaveri, ndërmjetësi për ekz*kutimin e Klevis Lleshit

AKUZAT/ Ekstradohet nga Italia Saimir Kolaveri, ndërmjetësi për

Një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë në kuadër të operacionit “The Wanted”, të zhvilluar në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Bëhet fjalë për Saimir Kolaverin, 44 vjeç, i cili akuzohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në vitin 2020.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, Kolaveri dyshohet se ka bashkëpunuar me anëtarë të tjerë të grupit për vrasjen e shtetasit Klevis Lleshit për motive gjakmarrjeje, si dhe për transportimin dhe fshehjen e trupit të viktimës në fshatin Shpërdhet, në zonën e Mamurrasit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i kishte caktuar më herët masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Pas lokalizimit dhe arrestimit në Itali, autoritetet përfunduan procedurat e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga drejtësia shqiptare.

EMISIONET