Ekspertët paralajmërojnë: Këto janë rrobat dhe aksesorët që nuk duhet t’i vishni gjatë një fluturimi

Zgjedhja e veshjes për një udhëtim me aeroplan nuk lidhet vetëm me rehatinë, por edhe me sigurinë dhe shëndetin. Ekspertët e aviacionit paralajmërojnë se disa lloje rrobash dhe këpucësh mund të rrisin rrezikun në situata emergjente ose të shkaktojnë probleme gjatë fluturimeve të gjata.
Autorja e librave për sigurinë ajrore, Christine Negroni, këshillon pasagjerët të shmangin veshjet prej fibrash sintetike, si getat sportive, pasi në rast zjarri ato mund të digjen dhe të ngjiten në lëkurë. Sipas saj, zgjedhja më e sigurt janë rrobat prej pambuku ose fibrave të tjera natyrale.
Ekspertët rekomandojnë gjithashtu të shmangen xhinset shumë të ngushta dhe veshjet që shtrëngojnë trupin, pasi qëndrimi ulur për orë të tëra mund të pengojë qarkullimin e gjakut dhe të rrisë rrezikun e trombozës.
Edhe këpucët kanë rëndësi. Shapkat dhe takat e larta nuk konsiderohen të përshtatshme, pasi mund ta vështirësojnë lëvizjen dhe evakuimin në raste emergjente.
Përveç veshjes, specialistët këshillojnë që personat që përdorin lente kontakti të kenë kujdes, pasi ajri i thatë në kabinën e avionit mund të shkaktojë irritim dhe shqetësime në sy.
Ndërkohë, bateritë portative (power bank) duhet të mbahen gjithmonë në bagazhin e dorës dhe jo në bagazhin e regjistruar, për shkak të rrezikut të mbinxehjes dhe zjarrit gjatë fluturimit.


