Fluksi turistik në Durrës/ Ministri Karakaçi inspekton masat në port: Jemi gati për sezonin

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka zhvilluar një inspektim në Portin e Durrësit, ku janë marrë masat për përballimin e rritjes së numrit të udhëtarëve gjatë sezonit turistik.

Gjatë vizitës në port, Karakaçi u njoh me organizimin e punës, kapacitetet pritëse dhe masat e ndërmarra për të garantuar një lëvizje më të shpejtë dhe më të rregullt të pasagjerëve.

Fluksi i udhëtarëve në këtë periudhë është rritur për shkak të sezonit veror, duke e kthyer Portin e Durrësit në një nga pikat kryesore të hyrje-daljeve në vend.

Strukturat përgjegjëse kanë shtuar përgatitjet për menaxhimin e trafikut dhe shmangien e vonesave.

Karakaçi u shpreh se bashkëpunimi mes institucioneve dhe gatishmëria e stafit janë elementë të rëndësishëm për përballimin e flukseve gjatë muajve të verës.

Ai u ndal edhe te rëndësia e ofrimit të një shërbimi sa më efikas për qytetarët dhe turistët që zgjedhin të udhëtojnë përmes këtij porti.

Porti i Durrësit vijon të jetë një nga nyjet kryesore të transportit detar në vend, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik, kur numri i udhëtarëve dhe mjeteve që hyjnë e dalin nga Shqipëria shënon rritje.

EMISIONET