Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës: Shqipëria model i bashkëjetesës fetare

Begaj pret përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës, të cilët ndodhen në Tiranë në kuadër të Forumit Europian “Shared Sacred Flourishing”.

Gjatë takimit, biseda u përqendrua te rëndësia e dialogut ndërfetar, bashkëpunimit mes komuniteteve dhe rolit që ka mirëkuptimi fetar në forcimin e paqes dhe stabilitetit në shoqëri.

Begaj vlerësoi organizimin e forumit si një mundësi për të promovuar vlerat e bashkëjetesës dhe respektit mes besimeve të ndryshme. Ai solli në vëmendje modelin shqiptar të harmonisë fetare, duke e cilësuar atë si një pjesë të rëndësishme të identitetit të vendit.

“Shqipëria përbën një model të harmonisë, bashkëjetesës ndërfetare dhe mikpritjes. Këto vlera janë pjesë e identitetit tonë dhe uroj që gjatë qëndrimit tuaj t’i prekni nga afër.”-tha ai.

Gjatë takimit, Presidenti u ndal edhe te periudha e regjimit diktatorial, kur Shqipëria u shpall shtet ateist dhe u mbyllën shumë objekte kulti. Sipas tij, pavarësisht kufizimeve të asaj kohe, besimi i shqiptarëve nuk u zhduk.

Begaj vlerësoi gjithashtu rolin e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit mes komuniteteve fetare.

“Në një kohë kur bota përballet me polarizim dhe konflikte, dialogu ndërfetar mbetet një mjet i rëndësishëm për ndërtimin e urave të besimit, solidaritetit dhe paqes.”-u shpreh Begaj.

Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve fetare në Europë dhe për të promovuar vlerat e tolerancës dhe respektit reciprok.

EMISIONET