HELMIMI NË AKADEMINË E SIGURISË/ Pas dy muajsh hetime, reagon "SORI-AL" : Kontrollet nuk gjetën shkelje, reputacioni ynë u dëmtua

HELMIMI NË AKADEMINË E SIGURISË/ Pas dy muajsh hetime, reagon

Shoqëria SORI-AL ka reaguar pas përfundimit të verifikimeve nga institucionet për dy episodet ku dhjetëra studentë të Akademisë së Sigurisë u paraqitën për ndihmë mjekësore, ndërsa aktiviteti i kompanisë u pezullua përkohësisht gjatë hetimeve.

Në një reagim zyrtar, kompania shprehet se pas përfundimit të kontrolleve nuk është konfirmuar një lidhje mes ushqimit të përgatitur nga SORI-AL dhe rasteve të raportuara.

Sipas kompanisë, gjatë kësaj periudhe janë vënë në dispozicion të gjitha dokumentet dhe ambientet për kontrollet e autoriteteve, ndërsa procedurat përfunduan me lejimin e vijimit normal të aktivitetit.

SORI-AL bën me dije se analizat e kampioneve të ushqimit të marra gjatë kontrolleve zyrtare rezultuan negative, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk konstatuan shkelje të sigurisë ushqimore.

Sipas reagimit, nga të dhënat mjekësore të paraqitura gjatë dy episodeve, shumica e personave të paraqitur në QSUT janë larguar pas monitorimit dhe nuk është evidentuar diagnozë për helmim ushqimor.

Në episodin e parë, sipas kompanisë, nga 45 persona të paraqitur në spital, 43 janë larguar brenda pak orësh, ndërsa në episodin e dytë, nga 67 persona, 66 janë larguar brenda një periudhe të shkurtër.

Kompania u shpreh se dëmi ndaj imazhit të saj është krijuar që në momentet e para të raportimeve publike, ndërsa kërkon që rezultatet zyrtare të kenë të njëjtën vëmendje me akuzat fillestare.

Një ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit zhbllokoi për herë të dytë aktivitetin e kompanisë, pas kontrolleve për sigurinë ushqimore dhe kushtet e shërbimit.

HELMIMI NË AKADEMINË E SIGURISË/ Pas dy muajsh hetime, reagon

EMISIONET