63 funksione dhe 11 vite punë/ Kjo është ora mekanike më e ndërlikuar në botë e krijuar ndonjëherë

63 funksione dhe 11 vite punë/ Kjo është ora mekanike më e

Një kryevepër e inxhinierisë zvicerane ka vendosur një rekord të ri në botën e orologjisë. Berkley Grand Complication konsiderohet ora mekanike më e ndërlikuar e prodhuar ndonjëherë, falë 63 funksioneve të saj të avancuara.

Kjo vepër e jashtëzakonshme është krijuar nga marka prestigjioze Vacheron Constantin dhe është zhvilluar për plot 11 vite nga tre mjeshtër orëndreqës. Vetëm montimi përfundimtar i mekanizmit ka kërkuar një vit punë.

Ora përbëhet nga 2 mijë e 877 pjesë të vogla, përmban 245 gurë të çmuar dhe peshon rreth 980 gramë.

Ndër veçoritë më të rralla të saj është kalendari tradicional kinez i përhershëm, një sistem kompleks i programuar të funksionojë deri në vitin 2200. Krahas tij, ora përfshin edhe kalendarin gregorian, tregues astronomikë, fazat e Hënës, zona kohore dhe mekanizma të avancuar të matjes së kohës.

Berkley Grand Complication është një orë xhepi me dy faqe, e krijuar si një kombinim mes artit dhe teknologjisë. Ajo përfshin gjithashtu një tourbillon me tre akse, një nga mekanizmat më të rrallë dhe më të ndërlikuar në industrinë e orëve luksoze.

Ora u porosit nga një koleksionist privat, i cili zgjodhi që ajo të mbante emrin e tij. Edhe pse çmimi nuk është bërë publik, ekspertët vlerësojnë se një krijim i tillë mund të kapë vlerën e miliona dollarëve.

Me këtë model, Vacheron Constantin ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të vendosur nga ora Reference 57260, e cila kishte 57 komplikime.

Berkley Grand Complication nuk është thjesht një instrument për matjen e kohës, por një vepër unike ku ndërthuren arti, matematika dhe mjeshtëria tradicionale e orëndreqjes.

EMISIONET