Shëtitorja e re e Ksamilit drejt fundit/ Rama ndan PAMJET: Një hapësirë e re për banorët dhe turistët
Punimet për shëtitoren e re të Ksamilit janë drejt përfundimit. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga investimi.
Sipas Ramës, shëtitorja do të krijojë një hapësirë të re publike për banorët dhe turistët që vizitojnë Ksamilin, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.
"Drejt përfundimit Shëtitorja e re e Ksamilit! Një tjetër hapësirë publike e shumëpritur dhe cilësore për çdo vizitor që zgjedh këtë perlë të Shqipërisë", shkruan kryeministri.
Gjatë viteve të fundit, Ksamili është kthyer në një nga destinacionet turistike më të njohura në Shqipëri dhe në rajon. Ujërat e kristalta, ishujt karakteristikë, afërsia me Parkun Kombëtar të Butrintit dhe pozicioni pranë Sarandës e Korfuzit kanë rritur ndjeshëm interesin e turistëve vendas dhe të huaj.

