Gjyqtarët, të vetmit që nuk i shqetëson harta gjyqësore, Maçolli: Nga 19 gjykata, 12 janë përgjigjur dhe vetëm 1 është ankuar

Harta e re gjyqësore ka krijuar pasiguri ligjore për shumë qytetarë që presin shqyrtimin e çështjeve të tyre prej vitesh në gjykata.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit publikoi gjetjet e një analize mbi riorganizimin gjyqësor, ku theksoi se draftimi i hartës së re dhe zbatimi i saj u bënë si procese të mbyllura pa praninë e organizatave që ofrojnë ekspertizë në këtë sektor.

Gjyqtarët duket se janë të vetmit që nuk janë shqetësuar nga ngjyrosja e kësaj harte.

Maçolli: Kemi adresuar 19 kërkesa për informacion drejtuar gjykatave që janë prekur nga reforma. Kemi marrë vetëm 12 përgjigje, prej të cilave vetëm në një rast një gjyqtar ka shprehur shqetësimin se aksesi i qytetarëve në drejtësi po cënohet.

Avokati i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erdion Maçolli, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se harta gjyqësore nuk është çështje numrash, por çështje parimesh dhe kriteresh.

Maçolli: Të gjithë ata që e trajtojnë hartën si ngjyrosje e kompetencës territoriale të gjykatave është një element shumë i gabuar. Duhet të ishin marrë parasysh disa elementë. KLGJ thotë se po krijohet një gjykatë e vetme Apeli me qëllim që të rritet performanca e kësaj gjykate. Brenda saj të krijohet mundësia për profilizimin e gjyqtarëve, në gjyqtarë që gjykojnë çështje penale dhe civile. Kjo sipas tyre do të rrisë më tepër kapacitetin, cilësinë por edhe numrin e vendimeve që ata japin. Por ne e kemi një eksperiencë në vendin tonë ku funksionon vetëm një Gjykatë Apeli në rang Republike, është Apeli Administrativ. Kemi një numër shumë të madh çështjesh që presin të gjykohen pranë kësaj gjykate.

Gjyqtarët, të vetmit që nuk i shqetëson harta
Erdion Maçolli

Sipas tij, me riformatimin aktual të hartës gjyqësore aksesi i qytetarëve në gjykata cënohet.

Maçolli: Së pari për shkak të rritjes së largësisë mes qytetarëve dhe gjykatave. Një element tjetër që cënon aksesin në drejtësi është rritja e kostove ekonomike.

Shqetësim për juristin mbetet edhe volumi i dosjeve që pritet të përqëndrohen në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Maçolli: Gjykata e Apelit Tiranë  ka rreth 20 mijë çështje stok. Pritet që nga Apelet e rretheve të transferohen dhe rreth 10-12 mijë çështje të tjera. Kjo do bëjë një stok të konsiderueshëm dhe do jetë një problem me të cilin do përballet.

Vakancat në gjyqësor janë një tjetër problem.

Maçolli: Procesi i vettingut ka shkuar përtej pritshmërive. Në projeksionin fillestar supozohej që numri i magjistratëve që nuk do kalonin procesin e vettingut do ishte 30%, sot kjo shifër rezulton në 67%.Kjo është një e papritur e madhe.

Përkundër problematikave të konstatuara ai nuk beson se do ketë rishikim të hartës gjyqësore.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

harta e re gjyqësore

EMISIONET