Gazment Bardhi i kërkon SPAK të hetojë Ramën: Sajoi përrallën e lobimit me para ruse të PD në SHBA

Gazment Bardhi i kërkon SPAK të hetojë Ramën: Sajoi

Pas lajmit për arrestimin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së në SHBA, Gazment Bardhi njofton se i është drejtuar zyrtarisht SPAK që të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale.

"Sot i jam drejtuar zyrtarisht SPAK që të nisë hetimet për një organizatë kriminale, të drejtuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë:

1. Korrupsion aktiv i nëpunësve të huaj publikë;

2. Deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë;

3. Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;

4. Grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprës penale nga grupi i strukturuar kriminal".

Bardhi thotë se miku personal i Edi Ramës, Charles McGonigal, u arrestua në SHBA pasi akuzohet për bashkëpunim me rusët, deklarim të rremë dhe pastrim të parave të pista.

Drejtësia amerikane, shton ai, konfirmon se Edi Rama nëpërmjet një ish=punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij McGonigal plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim me para ruse të PD në SHBA.

Bardhi nënvizon se korruptimi i një zyrtari amerikan të FBI për të sajuar rrethana të rreme për kundërshtarët politikë është jo vetëm krim, por akti më i rëndë që ka ndodhur në këto 30 vite në marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

"Asnjë Kryeministër në vendet demokratike nuk përdor para të pista për të korruptuar zyrtarë amerikanë të lidhur me Rusinë për të goditur kundërshtarët politikë. SPAK nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale.

Mjafton të kërkojë zyrtarisht të plotë dosjen dhe provat pranë Gjykatës së Distriktit të Kolumbias në SHBA. Drejtësia që hesht përballë fakteve është drejtësi e vdekur. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një drejtësi që vepron ndaj kujtdo dhe që i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë".

EMISIONET