Fshatrat “fantazmë” të Dibrës/ Zall Strikçani mbetet me 5 shtëpi, nga 60 dikur. Banorët: S’kemi rrugë, as ujë të pijshëm!

Fshatrat e vendit po boshatisen! Mungesa e investimeve dhe papunësia e madhe, kanë bërë zonat rurale të Dibrës të boshatisen masivisht. Banorët në këto zona shprehen të shqetësuar për situatën, ndërsa gishtin e drejtojnë tek shteti, i cili sipas tyre ka dështuar që tu sigurojë njerëzve një jetesë normale në fshat!

Zall Strikçani mbetet me 5 shtëpi nga 60 dikur

Ky është Arif Lala, banor i fshatit Zall Strikçan në Bulqizë.

Në fshatin e tij dikur kishte 60 familje, sot atje kanë mbetur 5 prej tyre!

Të gjithë kanë ikur, i kanë kthyer kurrizin fshatit për tokave të tyre.

Mungesa e infrastrukturës, harresa nga pushteti e shteti, mundësitë e pakëta, janë arsyet e ikjes masive!

“Largimi dhe arsyet dihen: papunësia, infrastrulktura e dobët dhe mosinteresimi i shtetit. Kemi mungesa të ujit të pijshëm, dritat herë vijnë dhe herë jo”, shprehet banori.

Pak kilometra më tutje, në fshatin Bërshi të Klosit situata është e njëjtë.

Gjithkush flet për ikje.

80-vjeçari Elez Elezi ka jetuar në dy sisteme, dhe sot ai e drejton gishtin nga politika!

“Braktisja e vendit ka ardhur nga papunësia. Shteti nuk të garanton asgjë. Edhe një vend pune me e gjet me mik. Se ne jemi pleq dhe i kemi ditët e numëruara, por nuk ka kush na fut në dhe kur të vdesim. Kanë ikur dhe as nuk do kthehen më këtu”, shprehet Elezi.

Situata e emigracionit kryesisht tek të rinjtë është kthyer në një shqetësim real për vendin tonë, ndërsa fshatrat janë duke vuajtur më se shumti këtë fenomen.

spartak doçi fshatrat dibra

EMISIONET