FOTO/ Ndahet nga jeta Dr. Edi Tushe, mjekësia shqiptare humb një prej pionierëve të neonatologjisë!

Mjekësia shqiptare është në zi pas ndarjes nga jeta të Dr. Edi Tushes, një prej figurave më të shquara të neonatologjisë në vend. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shprehu trishtimin për humbjen e mjekut neonatolog, pedagogut dhe mentorit që kontribuoi në mënyrë të jashtëzakonshme në zhvillimin e neonatologjisë moderne në Shqipëri.
Sipas ministrisë, Dr. Tushe la pas një trashëgimi të çmuar në kujdesin ndaj të porsalindurve dhe në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare.
“Trishtim dhe dhimbje për ndarjen nga jeta të Dr. Edi Tushes, mjek neonatolog, pedagog, mentor dhe një prej personaliteteve më të shquara të mjekësisë shqiptare.
Dr. Tushe ishte ndër themeluesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm në zhvillimin e neonatologjisë moderne në Shqipëri, duke lënë një trashëgimi të vyer në kujdesin për të porsalindurit dhe në formimin profesional të brezave të tërë mjekësh.
Sot, sistemi ynë shëndetësor humbet një prej njerëzve që me punën, dijen dhe vizionin e tij kontribuoi në përmirësimin e jetës së mijëra fëmijëve dhe familjeve shqiptare.
Në emër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij.
Kujtimi dhe vepra e Dr. Edi Tushes do të mbeten përherë pjesë e historisë së mjekësisë shqiptare.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruan ministria.
