Fajton Murati u zbulua nga gjurma e gishtit në kutinë e pistoletës. Dëshmia e tij në polici
Ndalimi i Fatjon Muratit nga policia e Tiranës, është kryer për shkak të një gjurme gishti të gjendur, në një kuti pistolete të sekuestruar në 13 korrik në Tiranë.
Murati, ishte shpallur në kërkim me urdhër të prokurorisë së kryeqytetit. Por u ndalua dy ditë më parë, teksa lëvizte me automjet të blinduar, nën shoqërinë e Endrit Dokles dhe Gentian Reçit.
Policia ka kontrolluar makinën e blinduar të Dokles, por nuk është gjendur asnjë send i paligjshëm.
“Ora News” mëson se fillimisht ka qenë një patrullë policie që ka ndaluar mjetin e tyre, dhe personave që ndodheshin në makinë, u është kërkuar identifikimi përmes kartave të identitetit.
Dokle, Reçi dhe Murati, kanë dhënë dokumentet dhe më pas policia ka vijuar me verifikimin në sallën operative.
Pas kontrollit në sistem të emrave, ka rezultuar se Fatjon Murati, ishte persona në kërkim si i dyshuar për mbajtjes pa lejë të arsenalit të armëve të sekuestruar në dy apartamente në Tiranë.
Murati është marrë në pyetje por s’ka pranuar autorësinë e krimit. Në dëshminë që “Ora News” ka mundur të sigurojë Murati ka shpjeguar se:
“…armët nuk janë të miat dhe s’kam asnjë lidhje me to. Jam i paqartë se në çfarë rrethana është ndodhur gjurma ime e gishtit në një prej kutive, ku mbahej pistoleta, por jam i bindur se gjithçka është aksidentale. Unë kam njohje me të arrestuarin Kristjan Gjini, dhe para disa kohësh këtij personi ja kam marrë borxh makinën. Makinën në pjesën e pasme të saj, e kam pastruar duke hequr disa kuti letre, por pa e ditur se çfarë kishte brenda tyre. Besoj shumë, se ky ka qenë momenti ku mund të kem lënë shenjën e gishtit në kutinë e gjendur në banesën e Kristjan Gjinit…” - ka rrëfyer në polici Fatjon Murati.
Pak kohë më parë Murati, Gentjan Reçi dhe kunati i tij, Endrit Dokle janë marrë në pyetje nga prokuroria e Krujës, si persona që mund të kishin dijeni mbi rrethanat e ngjarjes, ku mbetën të vrarë Briland Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.