Ujitja e gabuar mund t’i dëmtojë bimët, ja metoda që kursen ujë dhe forcon rrënjët

Me temperaturat e larta të verës, kujdesi për bimët në kopsht bëhet një sfidë e përditshme. Shumë njerëz i ujitin shpesh, por pa e ditur se uji mund të mos arrijë aty ku bima ka më shumë nevojë – te rrënjët.
Një nga metodat më efikase për të mbajtur bimët të shëndetshme është ujitja e thellë, një teknikë që ndihmon ujin të depërtojë disa centimetra nën sipërfaqen e tokës dhe të ushqejë sistemin rrënjor.
Kjo metodë jo vetëm ndihmon bimët të përballojnë vapën, por edhe redukton nevojën për ujitje të shpeshtë, duke kursyer ujë.
Pse ujitja sipërfaqësore nuk mjafton?
Kur uji hidhet vetëm në sipërfaqe dhe në sasi të vogla, ai shpesh nuk arrin deri te rrënjët. Toka laget vetëm në shtresën e parë, ndërsa pjesa ku bima merr ushqimin dhe lagështinë mund të mbetet e thatë.
Ujitja e thellë funksionon ndryshe: uji hidhet ngadalë dhe për një kohë më të gjatë, duke depërtuar në shtresat më të ulëta të tokës. Kjo i nxit rrënjët të rriten më thellë, duke e bërë bimën më rezistente ndaj thatësirës.
Kontrolloni tokën para se të ujisni
Pamja e sipërfaqes së tokës nuk tregon gjithmonë gjendjen reale të lagështisë. Një tokë mund të duket e thatë sipër, por të ketë ende ujë disa centimetra më poshtë.
Një mënyrë e thjeshtë për ta kontrolluar është testi me gisht. Nëse toka në një thellësi prej rreth 5 deri në 7 centimetra është ende e freskët dhe e lagësht, bima nuk ka nevojë për ujë. Nëse ajo është e thatë, atëherë kërkohet ujitje më e thellë.
Lloji i tokës ndryshon mënyrën e ujitjes
Rezultati i ujitjes varet edhe nga lloji i tokës në kopsht.
Toka me shumë lëndë organike ruan më mirë lagështinë dhe lejon qarkullimin e ajrit. Ndërsa toka argjilore e thith ujin ngadalë dhe mund ta mbajë atë për një kohë të gjatë, ndërsa toka ranore e humbet shpejt lagështinë dhe kërkon kujdes më të madh gjatë ujitjes.
Për këtë arsye, nuk ekziston një rregull i njëjtë për çdo kopsht.
Pemët dhe bimët e mëdha kanë nevojë për më shumë kujdes
Ujitja e thellë është veçanërisht e dobishme për pemët, shkurret dhe bimët shumëvjeçare që kanë rrënjë të zhvilluara.
Ndryshe ndodh me fidanët e rinj. Ata kanë rrënjë më të cekëta dhe kanë nevojë për ujitje më të shpeshtë, por me sasi më të kontrolluar uji, në mënyrë që të mos dëmtohen.
Kur është momenti më i mirë për ujitje të thellë?
Kjo metodë është më e rëndësishme gjatë muajve të nxehtë të verës, kur temperaturat rriten dhe toka humbet më shpejt lagështinë.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë që toka të lihet të thahet pak mes dy ujitjeve. Lagështia e tepërt mund të krijojë probleme me kërpudhat dhe sëmundjet e rrënjëve.
Një zgjidhje praktike për këtë proces janë sistemet pikë-pikë dhe tubat porozë, të cilët lëshojnë ujin ngadalë dhe drejtpërdrejt pranë rrënjëve, pa humbje të panevojshme.
Ujitja e duhur nuk lidhet vetëm me sasinë e ujit, por me mënyrën se si ai arrin te bima. Një tokë e ushqyer dhe rrënjë të forta janë çelësi për një kopsht më rezistent gjatë gjithë verës.


