EMRI/ Hyn në farmaci dhe merr xhiron ditore, punonjësja përleshet me të, kamerat e sigurisë kapin momentin. Arrestohet 37-vjeçari në Tiranë
Zbardhen 3 raste të vjedhjes në farmaci, të kryera në Tiranë, gjatë muajve të fundit, vihet në pranga 37-vjeçari, i cili dyshohet si autor edhe i disa vjedhjeve të tjera.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Tracing”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi Egert Boçi, 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka kryer disa vjedhje, gjatë muajve të fundit, në disa farmaci në Tiranë. 3 prej këtyre vjedhjeve janë dokumentuar me prova ligjore, konkretisht:
– Më datë 31.01.2023 dhe më datë 19.03.2023, ka vjedhur shuma të ndryshme parash, në një farmaci, në rrugën “Teodor Keko”;
– Më datë 23.04.2023, ka vjedhur një shumë parash, në një farmaci, në rrugën “Loni Ligori”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat dyshohet se autori i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.