EMRAT + FOTOT/ I dënuar për incineratorin e Fierit, arrestohet në Gjermani 30-vjeçari nga Durrësi. Interpol aksion edhe në Greqi
Interpol Tirana bën me dije se vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për shkëmbimin e informacioneve me qëllim lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ekstradohet nga Greqia një 44-vjeçar i dënuar me 10 vjet burgim për vrasje me dashje, mbetur në tentativë.
Gjithashtu, ekstradohet nga Gjermania drejt vendit tonë një 30-vjeçar, me masë sigurie, “Arrest në burg”, për veprën penale "Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
"Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve, në Greqi u bë e mundur kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Mihal Mërkuri, 44 vjeç.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë e ka dënuar 44-vjeçarin me 10 vite burgim për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Me datë 17.11.2000, në lagjen nr. 1, në Sarandë, për shkak të një borxhi të pashlyer, shtetasi Mihal Mërkuri ka qëlluar pesë herë me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit Vendim Bejko, duke e plagosur rëndë atë", njofton Interpol Tirana.
Gjithashtu, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, u bë kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, Silvester Driza, 30 vjeç, lindur në Durrës.
“Shtetasi S. D., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest në burg”, për veprën penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim .
Përmbledhja e fakteve: Shtetasi S. D. ka themeluar një shoqëri Sh.p.k dhe ka kryer disa transaksione fiktive me kompaninë që ka me koncesion inceneratorin e Fierit”, thuhet në njoftimin e Interpolit.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët për lokalizmin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.