PAMJE/ Lamtumira për Enrik Mehmetin, Kryeministri Rama merr pjesë në homazhet në teatrin “Petro Marko”
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në homazhet e zhvilluara për gazetarin Enrik Mehmeti, të cilat po mbahen në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën pasditen e së shtunës, në moshën 40-vjeçare, pas një aksidenti me motor në zonën e plazhit të Porto Novës, në Zvërnec.
Familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të institucioneve janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit të njohur, i cili për vite me radhë ka raportuar ngjarjet dhe problematikat nga qarku i Vlorës.
Homazhet po zhvillohen në teatrin “Petro Marko”, ndërsa ceremonia e përcjelljes së fundit është parashikuar të mbahet në orën 14:00.
Pas lajmit të ndarjes nga jeta të Mehmetit, reagime ngushëllimi kanë ardhur edhe nga figura të tjera politike, mes tyre kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Humbja e gazetarit 40-vjeçar ka sjellë dhimbje te komuniteti mediatik dhe qytetarët e Vlorës, ku ai ishte një figurë e njohur për raportimet e tij ndër vite.


