EKSKLUZIVE/ Antimafia çon raportin në Senatin Italian: Krimi shqiptar po pastron paratë në Shqipëri dhe po investon në ndërtim dhe turizëm në Itali
Paratë e fituara nga trafiqet e paligjshme, veçanërisht nga trafiku i drogës në Shqipëri investohen në sektorin e ndërtimit, dhe të sipërmarrjes në përgjithësi.
Ekonomia shqiptare vazhdon të jetë informale e profili normativ shtetëror është ende mbrapa në fushën e konfiskimeve të pasurive të vëna nga trafiqet ilegale.
Bastet sportive online dhe pse janë të paligjshme vazhdojnë të kryhen në platforma jashtë kufirit shqiptar, e ky territor është interesant për grupe të strukturura kriminale me veprim në Europë e në Amerikën e Jugut.
Këto janë disa nga konkluzionet e arratituara nga Antimafia Italiane, e cila ka prezantuar këtë të enjte në Senatin Italian Raportin 6-mujor me të dhënat nga korriku në dhjetor të vitit 2022.
Shqipëria dhe grupet kriminale shqiptare me aktivitet në Itali janë përfshirë në këtë dokument, i cili sjell analizën investigative të Drejtorisë së Antimafias Italiane mbi mafiet autoktone dhe ato etnike operative në Itali.
Antimafia shprehet e shqetësuar e sinjalizon gjithashtu se është shtuar numri i elementëve shqiptarë të shfaqur si sipërmarrës në Itali e që blejnë e nisin akivitete biznesi, kryesisht në sektorin e turizmit dhe në qendra ekskluzive turistike kombëtare.
Antimafia italiane shprehet e shqetësuar për fenomenin e riciklimit të parave të drogës në Shqipëri.
Ajo informon se dhe prej 1 korrikut 2021 në Shqipëri janë bërë disa përmirësime në profilin normativ të riciklimit të parave, por mbetet shumë për të bërë në fushën e pasurive të konfiskuara e të vëna nga trafiqet ilegale.
Antimafia Italiane sinjalizon se Shqipëria është një vend akoma vulnerabël në fenomenin e riciklimit të parave të përfituara kryesisht nga trafiku i lëndëve narkotike e që investohen kryesisht në sektorin e ndërtimit e të sipërmarrjes në përgjithësi.
“Shqipëria karakterizohet nga ekonomia informale bazuar në para cash e ka interes nga grupet kriminale të organizuara e të lidhura me asete të tjera kriminale që veprojnë në të gjithë Europën e në Amerikën e Jugut.
Shumica e aktiviteteve të lojërave të fatit janë mbyllur, e janë deklaruar ilegale prej 2019, me përjashtim të atyre në resorte luksoze e në ato nën mbikqyrjen e Agjensisë Kombëtare të Lojërave të fatit”, shkruan raporti i Antimafias Italiane.
Gjithashtu, Antimafia italiane sinjalizon se dhe pse bastet on line janë mbyllur e konsiderohen të paligjshme, ato praktikohen në platforma on line përtej kufirit shqiptar.
Për herë të dytë Antimafia Italiane thekson në këtë dokument të radhës se si në rajonin e Toskanës, në veçanti në kryeqendrën e tij Firenze, elementë shqiptarë po afirmohen në territor si sipërmarrës, kryesisht në sektorin e ndërtimit e të turizmit.
Sipas raportit, mjaft elementë të dyshuar kriminalë shqiptarë kanë blerë aktivitete biznesi dhe kanë hapur bare e resotrante.
Raporti evidenton edhe lidhjet tashmë të konsoliduara mes mafieve italiane e grupeve të strukturuara shqiptare, si dhe shtrirjen e tyre në të gjithë territorin kombëtar të Italisë.
Operacione të shumta të ekzekutuara gjatë periudhës kohore që i referohet raporti kanë evidentuar lidhjet e bashkëpunimit vecanërisht mes mafias shqiptare e mafias kalabreze “Ndrangheta”, mafias siçiliane “Cosa Nostra”, mafias puglieze “Sacra Corona Unita”, e gjithë mafieve autoktone me kontroll e shtrirje në rajonet e provincat italiane.
Antimafia italiane nënvizon faktin e “evolucionit që metodika e kriminalitetit shqiptare ka kryer në fshehjen e plantacioneve me marijuanë dhe në transportin e drogës drejt brigjeve italiane”.
“Mes krimit të organizuar shqiptar e mafieve italiane ka marrëdhënie të kualifikuara për furnizimin me marijuanë nga vendet e Europës Lindore e Afrika e Veriut si dhe me kokainë nga kartelet kolumbiane e meksikane.
Kriminaliteti shqiptar dallohet nga një agresivitet i spikatur dhe një aftësi e konsoliduar në menaxhimin e trafiqeve të mëdha të drogës e në rolin e ndërmjetësit në të ashtëquajturën rruga ballkanike.
Lidhjet mes mafies italiane e kriminalitetit shqiptarë janë dokumentuar me kohë e vihet re një aftësi në rritje e kriminalitetit shqiptar në kultivimin e në trafikun e marijuanës me bimë në një nivle të lartë koncentrimi të THC.
Grupet kriminale shqiptare janë bërë pikë referimi për mafiet italianë në furnizimin me lëndë narkotike", shkruan ky raport, në të cili thuhet se në veçanti operacionet “Magna 2” dhe “Acheron” kanë dokumentuar raportet e stabilizuara mes “Ndrangheta”-s dhe grupeve kriminale shqiptare.
Sipas analizës së fundit të Antimafias Italiane konfirmohet strategjia e mafias kalabreze për të konsoliduar për nevojat e saj marrëdhëniet e bashkëpunimet me mafiet e huaja e vecanërisht me atë shqiptare e amerikano jugore.
Edhe mafia siçiliane dhe ajo puglieze kanë një kanal bashkëpunimi të stabilizuar furnizimi nga grupe trafikantësh shqiptarë vërtetuar kjo nga hetime e operacione të ekzekutuara gjatë periudhës kohore referuese në këtë raport.